Një 35 vjeçar nga fshati Mashkullorë i Gjirokastrës është gjetur i vetëvarur mëngjesin e së enjtes. Ngjarja e rëndë ka ndodhur orët e para të mëngjesit. Policia e Gjirokastrës bën të ditur se Florian Resuli, banues në Mashkullorë është gjetur i vetëvarur në një pemë në oborrin e kishës së fshatit rreth orës 05:00 të mëngjesit të 12 korrikut. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune të shkaktuara nga ndonjë faktor tjetër.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. 35-vjeçari po kalonte një situatë të rënduar psikologjike për shkak të vështirësive ekonomike. Babai i dy fëmijëve të mitur kishte rreth tre muaj që ishte zhvendosur në Tiranë me familjen. Ai punonte si gdhendës guri dhe mermeri.
Një ditë përpara ngjarjes që tronditi bashkëfshatarët e tij, ai ishte kthyer në fshatin e lindjes, ndërsa gruaja dhe fëmijët ndodhen në shtëpinë e prindërve të bashkëshortes. Miq të afërt të viktimës pohojnë se gjatë qëndrimit me të një natë përpara ngjarjes së rëndë, situata dukej e qetë dhe asgjë nuk të linte të kuptohej se vetëm pak orë më pas ai do të vetëvarej.
Florian Resuli njihej si djalë i qetë dhe punëtor, por ai ishte i varur nga lojërat e fatit. Ndeshjet e kampionatit botëror të futbollit ai kishte luajtur disa herë llotari duke u zhytur në borxhe. Dyshimet më të forta janë për humbjen e një sasie të madhe parash në skedinat e futbollit, që përkeqësuan gjendjen ekonomike të familjes. Shërbimet e policisë dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Grupi hetimor ka nisur të marrë në pyetje familjarët dhe të afërmit e viktimës, si dhe personat që patën komunikim ditët e fundit, për të zbardhur motivet e vërteta që mund ta kenë shtyrë atë drejt vetëvrasjes. Po kështu po bëhet edhe verifikimi i komunikimeve të tij përmes aparatit celular./ Panorama