Prej disa ditësh kanë nisur punimet në rrugën nacionale pranë varrezave të Gjirokastrës, aty ku kalon Përroi i Gjokanës, një vend problematik në çdo rast kur vërshojnë ujërat gjatë dimrit. Po ndërtohet një urë e re, e cila pritet t’i japë fund problemit. Për të inspektuar punimet që po kryhen nga firma ‘Salillari’, sot shkoi pranë kantierit edhe prefekti Astrit Aliaj. Duke folur për mediat, ai tha se ndërhyrja në këtë aks rrugor vjen pas kërkesës së tij te kompania private.
“Është një kërkesë nga ana e Prefekturës dhe menjëherë firma ‘Salillari’, e cila po bën këtë punim, e mori në konsideratë, duke patur parasysh edhe vështirësitë që u krijuan gjatë këtij viti. Siç e shihni jemi në fazën përfundimtare të pjesës së parë të punës”, tha ndër të tjera prefekti Aliaj.
Në fakt e vërteta është ndryshe, jo sikundër tenton ta paraqesë prefekti i Gjirokastrës. E para, ndërhyrja e firmës ‘Salillari’ në këtë aks rrugor, është detyrim kontraktual i saj me Autoritetin Rrugor Shqiptar për mirëmbajtjen e rrugëve të qarkut Gjirokastër dhe s’ka lidhje me kërkesat që mund t’i ketë bërë Prefektura e Gjirokastrës. E dyta, ndërhyrja vjen gati një muaj, pasi Top Channel zbuloi skandalin me mirëmbajtjen e rrugëve në jug të vendit. Sipas kronikës së datës 18 qershor, më 1 janar të vitit 2017, firma “Salillari” firmosi kontratën 5-vjeçare me Autoritetin Rrugor Shqiptar për mirëmbatjen dhe rehabilitimin e akseve nacionale në jug të vendit.
Paratë që kjo kompani do të përfitojë nga buxheti i shtetit janë 13.7 milionë euro. Por një vit e gjysmë pasi ishte nënshkruar kontrata, situata në terren ishte mjaft problematike. Në rrugët e qarkut Gjirokastër nuk ishte bërë asnjë ndërhyrje. Dhe duket se gjërat lëvizën pikërisht pas bërjes publike të këtij skandali. Sidoqoftë, më mirë vonë sesa kurrë. Të shpresojmë që punimet do të kryhen shpejt, për të shmangur trafikun në sezonin veror, ndonëse duhet thënë që deri më tani nuk është deklaruar një afat nga kompania.
© ArgjiroLajm.net