Një shkarkim i dyshimtë nga puna ka ndodhur disa ditë më parë në administratën publike në Gjirokastër. ArgjiroLajm.net disponon një shkresë të firmosur nga drejtori i Bujqësisë, Kostandin Rapi. “Njoftim për diskutim të marrëdhënieve të punës”, është lënda e kësaj shkrese drejtuar znj.Violeta Sufati, e cila ka qenë e punësuar si sanitare në Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë në Gjirokastër.
Titullari i këtij institucioni, Kostandin Rapi, e fton zonjën në takim në zyrën e tij më datë 2 nëntor 2018, ora 08:00, për t’i parashtruar arsyet që ai mendon se përse duhet ta largojë nga puna. Shkresa vijon më tej edhe me dy momente që vlejnë të përmenden. Së pari, drejtori Rapi i thotë zonjës, se gjatë takimit, do t’i japë asaj mundësi të shprehet në lidhje me arsyet përse ai mendon të ndërpresë marrëdhënien e punës. Pra, drejtori do t’i japë mundësi që ajo të flasë, se mund edhe të mos i jepte… Çfarë banaliteti!
Së dyti, e paralajmëron se nëse nuk paraqitet në takim, kjo s’do të thotë se ai nuk mund të vazhdojë procedurën për largim nga puna. Por çfarë ndodhi në fakt? ArgjiroLajm.net mëson se zonja Violeta Seferi është paraqitur në takim sipas datës dhe orës së caktuar nga drejtori Kostandin Rapi. Por ai që mungoi ishte vetë drejtori. Çfarë ndodhi më tej? Drejtori s’u bë më i gjallë për të biseduar me zonjën, por i la porosi shefes së financës në Drejtorinë e Bujqësisë Gjirokastër, për t’i komunikuar asaj largimin nga puna.
As takimi me drejtorin nuk u zhvillua, as shkresë zyrtare nuk i është dhënë Violeta Sufatit, ku të jetë shprehur motivacioni i largimit nga puna. Kostandin Rapi e ftoi në takim në zyrën e tij, pastaj u ‘fsheh’ dhe la porosi te shefja e financës, që sanitarja e institucionit të mos paraqitej më në punë. Të thuash që vendi i punës është shkurtuar në organikën e Drejtorisë së Bujqësisë Gjirokastër, ka pak gjasa të besohet sepse çdo insitucion, përfshi edhe ato të dorës së dytë, kanë së paku një sanitare që pastron ambientet. Le pastaj kur kemi të bëjmë me një drejtori rajonale.
A mos ndoshta jemi përpara rastit kur mund të jetë shkurtuar ndonjë pozicion tjetër pune dhe drejtori Kostandin Rapi, i gjetur ngushtë për të mos lëvizur, fjala vjen arshivisten, bëri ‘kokë turku’ sanitaren e institucionit? Kjo mbetet për t’u sqaruar nga vetë ai. Shkresa e firmosur nga drejtori i Bujqësisë në Gjirokastër, dëshmon edhe njëherë paudhësinë e atyre që përdorin pushtetin për të ndarë vendet e punës në shtet si plaçkë tregu.
Të largohej nga puna ndonjë inspektor apo specialist tjetër që zhvat fermerët e blegtorët me ryshfete për t’u dhënë subvencionet që u takojnë me ligj, edhe mund të përligjej veprimi i drejtorit Kostandin Rapi. Por të merresh me sanitaret është paburrëri dhe ligësi e madhe. Nuk i vjen e keqja buxhetit të shtetit nga rroga minimale e një zonjë që mban shtëpinë me bukë. Shihni ‘krokodilët’ që bëjnë korrupsion duke përdorur postin shtetëror.
©ArgjiroLajm.net