Aurel Demo ka një vit e gjysmë te Luftëtari por me situatën e krijuar në Gjirokastër me plot 15 largime gjatë kësaj vere dhe një dyndje lojtarësh të rinj mund të konsiderohet si një ndër veteranët e skuadrës. Luftëtari është riformatuar pothuajse krejtësisht por vetë mbrojtësi shpreson që gjërat të ecin mirë në sezonin e ri, nisur edhe nga premtimet e drejtuesve për stabilitet.
“Ndihem mirë pasi drejtuesit na kanë thënë se do të ecin gjërat mirë dhe shpresojmë të jetë kështu”.
Në Gjirokastër i mbajnë ende sytë nga merkato për të ndërtuar një skuadër konkuruese dhe shpresa e 22-vjeçarit është që të mbrriturit e rinj të bëjnë mirë për të mundësuar një grup të fortë.
“Ka lojtarë të rinj pasi kemi mbetur pak dhe shpresoj të vijojnë edhe të tjerë për të qenë më të fortë”.
Përsa i përket objektivave, Demo preferon të qëndrojë me këmbë në tokë, në fillim mbijetesa.
“Shpresoj të arrijmë mbijetesën dhe të shohim më pas më lart”.
Sezonin e kaluar Demo është aktivizuar si në qendër të mbrojtjes ashtu dhe në krahun e djathtë, dhe është gati që sërish të bëjë xholin, edhe pse një pozicion ku ndihet më mirë e ka.
“Mbrojtës i djathtë është pozicioni im por luaj ku të dojë trajneri”.
Kampionati nis këtë fundjavë në një përballje të vështirë me Tiranën, dhe mbrojtësi shpreson që më ndryshimet në drejtimin e klubit të jetë një vit i mbarë për Luftëtarin.