Edicioni i Luftëtarit nisi me doza optimiste, pasi starti në fazën përgatitore ishte premtues me një lojë pozitive dhe mbi të gjitha rezultatet impresionuese. Impakti i trajnerit Milos Kostic ishte pozitiv dhe i menjëhershëm, me grupin që kish gjetur liderin e ri për të vijuar projektin e nisur.
Megjithatë, në Europë bluzinjtë zhgënjyen shumë me paraqitjen ndaj Ventspils, me eliminimin që solli dhe ftohjen me publikun. Kjo u pa në ndeshjen hapëse të kampionatit, ku në një numër të paktë tifozësh Luftëtari vijoi me të njëjtën mënyrë, duke u mundur në shtëpi nga Kastrioti i rikthyer në elitë.
Tashmë këmbanat e alarmit për stafin teknik kanë nisur të bien, me trajerin Milos Kostic që duket se rrezikon seriozisht qëndrimin në krye të skuadrës. Kontrata e qëndrimit në Gjirokastër është 3-vjeçare, por klauzola për daljen nga objektivat mund të aktivizohet. Të shtunën transferta ndaj Laçit është një test i rëndësishëm për të, ndërkohë që kalendari nuk flet në favor të zikaltërve, edhe pse java e tretë i rikthen në shtëpi.
Megjithatë kundërshtari që do të zbarkojë është i një niveli të lartë, me Flamurtarin që këtë vit ka pretendime të mëdha. Java 4 sjell transfertën në kryeqytet me përballjen ndaj Tiranës, një kalendar që rezulton si periudhë ferri për Gjirokastritët. Nëse luftëtari nuk do të reagojë duke nisur nga kjo javë, atëherë me shumë mundësi fati i Kostic mund të jetë identik si ai i Luis Curbellos një vit më parë.