Është një vend i begatë, i njohur jetë e mot për banorët e saj të urtë e punëtorë. E pimë një kafe të shpejtë në qendër të Këlcyrës.
Disa djem të rinj bëjnë potere me një gazetë bastesh në dorë. Një natë më parë ka qenë një ndeshje e rëndësishme e Ligës së Kampioneve. Me siguri disa prej tyre i kanë lënë në baste paratë që prindërit i fitojnë me punë të vështirë. Fshati ndahet mes për mes nga një përrua që zbret nga malet. Në të dy brigjet e tij janë krijuar male plehrash. Disa derrkucë të qetë lozin mes tyre, duke iu gëzuar diellit pranveror.
Ngjyrën e dikurshme bojë rozë e kanë humbur prej kohësh, duke u zhgërryer në togje. Ndër libra kemi lexuar se shumë prej fshatrave të vjetër të anës së malit dikur shtriheshin lart në shpate. Me kalimin e kohës, një pjesë u shkretuan nga luftimet e egra që janë zhvilluar këtu kohë më parë, një pjesë tjetër e banorëve pak nga pak nisi të ulej në fushë, ku jeta është më e përballueshme dhe Përmeti më afër. Rrimë e vrasim mendjen a ka mbetur më gjë ndër fshatrat që i quajnë të braktisur.
Një grua na sqaron me durim se si e nga duhet t’i biem për t’u ngjitur lart në mal. “Vetëm se nuk keni për të parë gjë – na thotë – vetëm ullinj e mandej ferra, shegë e asgjë tjetër nuk ka mbetur. Rrënoja të shtëpive të vjetra ka disa, po atje lart tashti kanë mbetur vetëm dy-tri shtëpia. Ata që nuk kanë mundur të rregullohen këtu poshtë”. Rrimë e vrasim mendjen a ia vlen të ecim shumë orë të mira në këmbë për të jetuar disa çaste në mes të braktisjes? Emrat duken fort interesantë, por megjithatë vendosim që të flasim me njerëz e të ecim sa të mundim me makinën tonë fare të papërshtatshme për një udhëtim mes shkrepash.
Ndalojmë në Piskovë. Fshati është diku mes Këlcyrës dhe Përmetit. Zona përreth ka hijëshinë e përmetarëve dhe ballkoneve të shtëpive të tyre që nuk mbesin asnjëherë pa trëndafila. “Këtu nuk vjen pranvera pa ngjyrat e kuqe”, na thotë Gëzim Hasimi. Gëzimi është kthyer tashmë në një fermer. Nuk e kishte çuar nëpër mend të punonte në bujqësi. Madje, tregon se tokat që kanë qenë të familjes së tij nuk kanë qenë të kultivuara që prej kohës që ai dhe familja e tij u larguan në Tiranë. “Së bashku me familjen time ishim të vendosur në Tiranë. Aty kemi ende shtëpinë tonë dhe punonim me një biznes të vogël. Me biznesin puna eci shumë mirë, por u prish ndërtesa. Pas postës është një vilë e vjetër dhe aty u bë një ngatërresë me ish pronarët.
Dëshirë nuk kisha më të merresha me lokale dhe kjo punë në bujqësi m’u përshtat më shumë. Isha dhe pak i shëndoshë, peshoja 128 kilogramë dhe tani kam vajtur 90 kg, vetëm prej punës në bujqësi, pasi këtu jam në lëvizje. Kam marrë dhe gruan këtu, ndërsa fëmijët i kam në Tiranë në shkollë”, tregon Gëzimi. Fermeri Hasimi është tashmë kultivues i bimëve medicinale. Prej dy vite e gjysmë tokat e babait, rreth 3 hektarë, të pa kultivuara më parë iu janë shtuar edhe 7 hektarë të tjerë, në të njëjtën vijë parcele, të gjitha të mbjella me erëza. “Unë isha i lidhur me një mikun tim në Gjermani, në Hamburger dhe ai ma dha idenë për të mbjellë erëza, të cilat tanimë janë të destinuara vetëm për tregun e huaj.
Edhe pozicioni i tokave që janë pa ujë vetëm ashtu mund t’i bëje. Janë bërë brenda standardeve të gjitha mbjelljet. Aktualisht, kam tre lloj rigonwsh që i përshtaten vendit. Po ashtu edhe lulja e cianit i përshtatet shumë. Nenexhiku po ashtu. Janë bërë analiza për të gjitha llojet e kulturave”, tregon fermeri. Megjithatë, viti i parë për Gëzimin nuk ka qenë i lehtë. Përpos punës së re me të cilën i duhej të mësohej, Gëzimi kishte edhe vështirësinë prej motit të keq. Vitin që shkoi, breshri i ka dëmtuar rreth 40 % të sipërfaqes së mbjellë me erëza.
“ Rendimentet e prodhimit të erëzave janë goxha të mira. Vetëm një hektarë jep 20 kuintal rigon. Kilogrami i kësaj erwze shkon me 250 lekë. Ky është më i shtrenjtë. Erëzat e tjera nuk kanë as shumë shpenzime. Por, viti i parë ishte i vështirë. Më kanë shkuar gati 46 milionë lekë investimi. Ka shpenzime. Kanalizime, ujitje. Tani mendoj se do jemi më mirë këtë vit. Viti i parë të bën të mendosh në lidhje me ccfarë ke bërë. Tani, uroj të mos bjerë ndonjë breshër sepse vitin që shkoi na dëmtoi rreth 40% të të mbjellave”.
Ndihmat e shtetit
Subvencionet duhet të jenë më të thjeshtëzuara
Muaji maj ka qenë ai që fermerët dhe përpunuesit presin për të aplikuar në fondet e buxhetit të shtetit. Megjithatë, duke qenë një buxhet i vogël shumë prej tyre nuk arrijnë të përfitojnë. Edhe në rastin e bimëve medicinale ekziston problematika e një kushti në përfitimit e subvencioneve sipas të cilit ai që do aplikojë duhet që të blejë fidanë te një tregtar i licensuar, ndonëse arrin t’i prodhojë vetë ato.“Kushtet nuk e lejojnë që personi që ka marrë licencë edhe të prodhojë për vetë edhe të mbjellë vetë ato që shet. Ata nuk e lejojnë këtë gjë. Pra, duhet t ia shesë një tjetri, por jo vetes. Kjo është një problematikë që duhet ngritur. Fermeri Gëzim Hasimi ka ndërmend të marë toka të tjera dhe të shtojë edhe 10 hektarë. Duhet të thjeshtohen procedurat e subvencioneve”, thotë specialisti Pëllumb Hodo.
Skemat e subvencionet, ja penalizimet që iu bënë fermerit
Kushtet për përfitim të subvencioneve nuk janë vetëm te sipërfaqja e mbjellë apo te mënyra e kultivimit. Disa prej tyre shkojnë edhe më tej. Rasti i fermerit Gëzim Hasimi na sjell në një këndvështrim tjetër. Ndodhur në ditën e fundit të aplikimeve për këtë vit, fermeri tregon se nuk do të aplikojë pasi kushti i vendosur për bimët medicinale është një penalizim për të. “Këtë vit nuk do aplikoj. Për bimët medicinale ka shumë procedura dhe është shumë e vështirë. Unë duhet të iki të marr certifikatën zyrtare të blerjes së fidanëve në Koplik. Duhet të vete atje dhe të paguaj 30 lekë për fidanë që mua më bie gati 450 mijë lekë. Ka një procedurë që fidanët duhet të blihen te personat që janë të licencuar, sepse kërkohet me certifikatë zyrtare. Unë kam nxjerrë certifikatë që të prodhoj vetë, por nuk më lejohet që edhe të kultivoj dhe të prodhoj fidanë. Kjo është më baza dhe mbi të gjitha është kusht në aplikim.
Do aplikoj për dy hektarë rigon dhe më bie të përfitoj 500 mijë lekë dhe unë i bie që dua të blejë 55 mijë fidanë për1 hektarë. Në një përllogaritje të thjeshtë, për dy hektarë unë do blej rreth 110 mijë fidanë. Me çmimin që fidanët janë rreth 30 lekë, mua më shkon 330 mijë lekë shpenzime për fidanë. Do bëj dokumentet e tjera dhe shpenzimet e tjera për aplikim më shkojnë 100 mijë lekë dhe unë nuk fitoj gjë”, tregon fermeri. Në Rrethin e Përmetit, Gëzimi Hasimi është i vetmi fermer që kultivon bimë medicinale.
Ai ka qenë përfitues i fondeve të buxhetit të shtetit në fillim të zhvillimi të kulturës bujqësore, kur fidanët i bleu te tregtari i vetëm i licencuar në vend. Ndihmat që jepen nga shteti në formën e subvencioneve janë një lehtësim i madh për fermerët, të cilët e shohin si një dritë jeshile këtë pjesë. Referuar të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, vetëm në vitin 2015 u dhanë 3.3 miliardë lekë në formën e mbështetjes për fermerët. Nga skemat kombëtare të 2015-s, në vlerën 1.6 miliardë lekë përfituan 10 800 fermerë, ku pesha kryesore u përdor për investime.
Histori
Erëzat, përveçse trashëgimtare të historisë antike, janë produkte natyrale që mund të na shërojnë, duke ndihmuar trupin tonë dhe ndryshuar karakteristikat e ushqimeve tona. Fjala “erëza” daton që nga shekulli XII dhe vjen nga latinishtja. Ajo shërbente për të treguar një mall special, me vlerë që ndryshonte shumë nga ai i zakonshmi. Fjala që nisi të modifikohej me kalimin e kohës arriti të merrte kuptimin që ka sot, domethënë atë të substancave bimore me origjinë orientale, që përdoren në kuzhinë.
Erëzat për dietë
Një regjim ushqimor vërtet efikas duhet të llogarisë të gjitha këto variabla dhe erëzat janë një pasaportë e vërtetë për ta çuar organizmin në ekuilibrin optimal. Arsyeja është e thjeshtë: para së gjithash, falë shijes së tyre, erëzat mendohet se ndikojnë në reduktimin drastik të kripërave dhe përbërësve të tyre. Na duhet të shtojmë këtu edhe efektin pastrues që kanë aroma të tilla si ajo e koprës dhe piperit, të cilët luajnë në organizëm një veprim diuretik dhe dezintoksikues, duke përmirësuar njëkohësisht edhe funksionet tretëse dhe proceset metabolike që zhvillohen në organizëm nga përdorimi i xhenxhefilit, shafranit dhe piperit të kuq. Këto erëza, përveç të tjerave, e furnizojnë organizmin edhe me mikro-ushqyes dhe antioksidues të çmuar. Në fund, efekti bonifikues dhe energjik i erëzave stimuluese si kanella dhe xhenxhefili eviton ato tipiket, që shpesh u atribuohen dietave dobësuese. Një dietë javore ku përfshihen sa më shumë ushqime me erëza, me 1200-1300 kalori m në ditë, korrespondon me humbjen e 2 kilogramëve në dhjetë ditë.
Përgatitja e tokës
Erëzat kërkojnë toka të punuara dhe përgatitura mirë. Për këtë arsye punimet e thella përpara mbjelljes janë domosdoshmëri. Këto të fundit duhet të shoqërohen me një, ose më shumë punime sipërfaqësore, deri në formimin e një shtrati të mirë rrënjor. Erëzat mund të mbillen në sipërfaqe të sheshta, ose në vllaja të ngritura. Vllajat e ngritura shfrytëzohen në disa raste për të mundësuar ujitjen dhe në raste të tjera për të siguruar kullim të mirë të tokës.
Lulja e Cianit
Njihet si kokoçeli, ose si lule ciani ose gjerësisht si lulekine. Lulekina është shumë e njohur edhe në Shqipëri, madje kohët e fundit ka nisur të kultivohet edhe nga ago-përpunues, të cilët operojnë në tregun e bimëve medicinale. Zakonisht në fusha shoqëron thekrën, tërshërën dhe grurin. Gjendet në zonat e Shqipërisë me lartësi mbi 500 metra mbi nivelin e detit. Lulekina ka një ngjyrë blu të ndezur dhe mjaft të bukur, që e bën atë mjaft tërheqëse. /Shekulli/