Gazetarja nga Gjirokastra tregon pasionin për kuzhinën, ndan me publikun recetat në Instagram (FOTO)

Gazetaria dhe kuzhina duket se nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra – tjetrën, duke përjashtuar këtu ndoshta emisionet e gatimit, por për një gazetare si Brikena duket se është gjetur e mesmja e artë. Ajo e ndan kohën e saj mes punës në terren si gazetare dhe familjes, duke i përkushtuar një kohë të veçantë gatimit. Miqtë e saj të afërt nuk e kanë të panjohur këtë pasion të hershëm të saj, por tashmë duket se ajo ka vendosur ta ndajë edhe me publikun e gjerë duke hapur një faqe të re në instagram.

Brikena’s Dishes është faqja e instagramit ku ajo publikon recetat e përgatitura. Të shijshme, të bukura në paraqitje e plot ngjyra nuk mund të thuash se i reziston tundimit. Aty gjen gjithçka, nga gatimet tradicionale, recetat e përditshme, ëmbëlsira apo edhe këshilla gatimi. Në një intervistë të shkurtër për ArgjiroLajm.net, gazetarja e News 24 në Gjirokastër, Brikena Metaj, tregon më shumë për këtë pasion të sajin.

Përse vendose të hapje një faqe në instagram?

Në fakt ka qenë një rekomandim i herëpashershëm i mikeshave të mia, por asnjëherë nuk e kisha marrë seriozisht. Si përfundim ishte vajza ime ajo që e faktëzoi këtë gjë duke hapur faqen, vendosur emrin dhe bërë postimin e parë që është torta me numër të cilën e përgatita për ditëlindjen time. Gjithçka mori rrugë prej asaj dite.

A kërkon kjo një angazhim më tepër? Të duhet të shpenzosh më shumë kohë për publikimet e recetave?

Në fakt jo. Të gjithë jemi të lidhur me rrjetet sociale, shpenzojmë kohë në të. Përse këtë kohë ta shfrytëzojmë kot, duke soditur publikime pa fund? Më duhen vetëm pak minuta për të hedhur fotot dhe shkruar recetën e më pas…u krye.

Besojmë se duhet të mendosh se çfarë recete do të publikosh ditë pas dite e duhet të zgjedhësh me kujdes çfarë do gatuash? 

Duhet të më besosh kur të them se jo. Unë publikoj gatimet e mia të përditshme, ato që gatuaj edhe për familjen time. Pra mund të them se publikoj recetën e ditës në shtëpinë tonë. Por duke qenë se gatimi është një pasion i hershëm i imi, që i ka fillesat që në moshë të vogël, për t’u konsoliduar me kalimin e kohës, më pëlqen që të kem larmishmëri në kuzhinën time dhe përpiqem që çdo herë të përgatis diçka ndryshe. Ëmbëlsirat i duam si familje, pavarësisht pasojave dhe i përgatis herë pas here. Kur fëmijët ishin më të vegjël gatuaja më shumë dhe shumëllojshmëri recetash. Tashmë jemi bërë më selektivë e më të kujdesshëm, i kushtojmë vëmendje dietës, përpiqemi mos ta teprojmë, por ka gjithmonë vend për diçka të re. Më ka ndodhur shpesh që fëmijët të më kërkojnë një gatim që ua kam bërë dikur, por që unë e kam harruar, pasi më pëlqen edhe të eksperimentoj në kuzhinë. Kjo mendoj se do të kërkonte më shumë impenjim prej meje. Herë pas here kujtohem të shkruaj në një bllok recetat e reja që bëj, por shpesh harroj dhe kështu sajoj një tjetër.

Si janë marrëdhëniet e tua me gatimet e gatshme dhe restorantet?

Kjo është një pikë që kërkon një diskutim të gjerë. Gatimet e gatshme nuk i preferoj edhe pse në të rrallë mund të konsumoj dicka, më së shumti kur nxitoj për në punë dhe e di që do vonoj. Në restorante jam tip i vështirë, ndonëse në heshtje. Pa vetëdije gjykoj çdo gatim që më serviret, përpiqem të gjej përbërësit, nuk më pëlqen kripa e tepërt dhe ky është një problem i dukshëm në pjesën më të mirë të restoranteve ku unë kam shkuar. Por këto janë pengesa që i kapërcej shpesh nga momenti që kam dalë për një kohë të bukur me miqtë apo familjen.