Gjatë një interviste për gazetën ‘Dita’, gazetari Mero Baze analizon qeverisjen e Edi Ramës në këto pesë vite. I pyetur se përse rrugët nuk ndërtohen nga vetë qeveria, por përdoret skema e partneritetit publik-privat, Baze thotë se Rama nuk është i qartë me prioritetet dhe këtë ai e ilustron me dy segmente të rëndësishme në jug të vendit; Bypassi i Fierit dhe rruga Kardhiq-Delvinë që do duhej të kishin përfunduar këto pesë vite. Më poshtë përgjigjja e tij.
“Kjo qeveri nuk është se nuk ka lekë për rrugë, por kjo ka një mungesë qartësie për atë çfarë është prioritare dhe çfarë është sekondare për rrugët. Vetëm këtë qeveri kam parë, që lë pa prekur për pesë vjet dy akse nevralgjike të Shqipërisë, Bypassin e Fierit dhe rrugën e Kardhiqit dhe bën çdo rrugë tjetër që nuk i duhet njeriu në këtë vend. Një mijë herë ti pyesësh një mijë herë ke një përgjigje idiote pse nuk bëhet Bypass i Fierit, pse nuk mbyllet tenderi dhe pse të nxihet jeta në një rrugë që ka filluar qysh më 2009.
Tani kësaj torture i shtohet dhe Bypass i Tepelenës, ndërkohë që prej 5 vitesh kanë ngelur vetëm 17 km në rrugën Kardhiq Delvinë dhe ato nuk janë prekur. Gënjeshtrat e katër viteve të para ishin se do bëhej me koncesion, pastaj me PPP tani për fat u kthjelluan dhe do ta bëjnë me lekët e buxhetit. Bëhet fjalë për destinacionin më të kërkuar të turizmit Tiranë- Sarandë, që nëse do bëhet rruga e Kardhiqit dhe Byppas i Fierit shkon rruga 2 orë e gjysmë. Mund të plasësh nga marazi por ato nuk bëhen. Për ide të çmendura të Berishës e Bodes, si Rruga Qukës Qafë Plloç, harxhohen nga Rama qindra miliona euro, kot, kot, kot, gati si një krim ekonomik që duhet të pres koka.
Për një rrëshqitje si ajo në Qafë Krrabë ka 5 vite që bllokohet autostrada e Elbasanit kur kanë ngelë dhe 5 kilometra. E gjithë kjo ka ardhur se këto pesë vite Shqipërisë i ka munguar një Ministër Transporti i qëndrueshëm, një Drejtori rrugësh profesionale dhe një vizion i qartë i kryeministrit për rrugët. Ka harxhuar miliona për rrugët, më shumë dhe se Berisha po të heqësh Rrugën e Kombit, por i ka hedhur lekët “si gjilpëra në kashtë”, në rrugë që nuk duken, dhe ka injoruar nevojat emergjente të vendit për rrugë. Është një sëmundje e keqe, dhe tani me superministrinë e Gjiknurit kam frikë se do jetë dhe më keq, pasi kjo është një nga 200 telefonatat në ditë që ai ka si ministër.