Partia Socialiste po kryen sondazhet e fundit në bazë për kandidatët e mundshëm, që do të garojnë për 61 bashkitë në zgjedhjet e 30 qershorit. Lista e plotë me emrat e kandidatëve zyrtarë për 61 bashkitë pritet të bëhet publike në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, që do të mbahet më 11 maj, ndërsa 13 maji është afati i fundit për regjistrimin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Janë disa bashki, ku PS-së i është dashur të kryejë sondazhe për të gjetur kandidatin më të pëlqyer nga komuniteti për kryetar bashkie. Disa kandidatë janë futur në garë për Bashkinë e Sarandës, për Bashkinë e Durrësit, po ashtu për Bashkinë e Delvinës, Bashkinë e Peqinit, Bashkinë e Gramshit, Bashkinë e Lushnjës etj… Këtu bën pjesë edhe Bashkia Gjirokastër, për të cilën janë kryer sondazhe mbi 4 emra; Flamur Golemi, Artemis Malo, Armand Hilaj dhe Ornela Cuci. Ndonëse të gjithë emrat e mësipërm pretendojnë se kanë dalë të parët në sondazhe, për rezultatin e tyre kanë dijeni vetëm një grup i vogël njerëzish në PS.
Nga ana tjetër disa prej kryebashiakëve të mundshëm janë konfirmuar gjatë turit për “Bashkinë që duam” të Kryeministrit në qytetet e vendit. Edi Rama ia ka besuar sërish kryeqytetin Erion Veliajt për një mandat të dytë. Dritan Leli në Vlorë, Sotiraq Filo në Korçë dhe Armando Subashi në Fier mbeten të pashqetësuar për mandatin e dytë në krye të bashkive përkatëse. Gjithashtu rikonfirmohen për një tjetër mandat Kastriot Gurra në Librazhd, Tërmet Peçi në Tepelenë, Ndrec Dedaj në Mirditë, Fredi Kokoneshi në Divjakë dhe Arif Tafani në Belsh. Kryeministri zyrtarizoi edhe Tonin Marinaj për Bashkinë e Malësisë së Madhe.
Ish-zv.ministri i Arsimit, Ervin Demo, do të hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit për Bashkinë e Beratit. Një tjetër bashki të djathtë, Edi Rama kërkon ta fitojë me Safet Gjicin, i cili në zgjedhjet e 2015- s ka humbur në garën përballë Xhelal Mziut për Bashkinë e Kamzës.