Autoritetet shëndetësore janë në alarm pasi epidemia e fruthit po vazhdon të shënojë rritje. 163 persona janë infektuar që prej fillimit të janarit, 115 prej të cilëve janë në kryeqytet. Ekspertët e Shëndetit Publik thonë se 75% janë fëmijë, ndërsa pjesa tjetër i përkasin të lindurve në vitet ’80-’99. Deri më tani nga fruthi kanë humbur jetën dy fëmijë nën 1 vjeç si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara prej saj.
Për të parandaluar përhapjen e epidemisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale ka ngritur dhe komitetin e eliminimit të fruthit. Nga Morava e Beratit, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e ka vënë theksin tek vaksina kundër fruthit, e cila po injektohet në grupet e riskut për të frenuar përhapjen masive të epidemisë. Paralelisht me epideminë e fruthit, Shqipëria është e përfshirë edhe nga epidemia gripale, intensiteti i të cilës sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, ka nisur të shënojë rënie.