Në institucionin e Prefektit të qarkut Gjirokastër është zhvilluar ditën e sotme takimi i rradhës i Komisionit të Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile dhe Krizave për qarkun Gjirokastër “Për marrjen e masave në përballimin e zjarreve në pyje e kullota” për stinën e verës.
Në këtë takim morën pjesë drejtues të njësive të vetëqeverisjes vendore, drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë, drejtues të stacioneve të MZSH-ve pranë bashkive të qarkut si dhe drejtues të ISHMPUT e Seksionit të Bujqësisë dhe drejtues të strukturave të emergjencave civile të njësive të vetëqeverisjes vendore të qarkut. Gjatë këtij takimi u analizua situata e zjarreve përgjatë vitit të kaluar dhe faktorët të cilët janë bërë shkak për krijimin këtyre situatave.
Prefekti i qarkut Gjirokastër Astrit Aliaj kërkoi nga institucionet përgjegjëse një planifikim të detajuar masash organizative, rritje të aftësive drejtuese, bashkëpunim ndërinstitucional dhe koordinim të veprimeve për parandalimin dhe përballimin e situatave emergjente që mund të krijohen nga zjarret në pyje e kullota.
Gjithashtu Prefekti kërkoi nga autoritetet ligjzbatuese identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve të mundshëm të zjarrvënies së qëllimshme. Në perfundim të këtij takimi nga ana e Prefektit të qarkut u lanë disa rekomandime për zbatim për të gjitha institucionet pjesëmarrëse në këtë Komision.