Flet ministri Gjiknuri: Ja kur nis puna në rrugën Kardhiq-Delvinë

Në kuadër të turit të llogaridhënies publike “Puna për Shqipërinë që Duam”, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri zhvilloi takime me banorë të Sarandës, Delvinës, Konispolit dhe Finiqit. Në dy bashkitë e para, Gjiknuri shoqërohej edhe nga Ministri për Turizmin dhe Mjedisin Blendi Klosi. Në Delvinë, Gjiknuri premtoi se brenda vitit do të fillojnë konkretizimin dy vepra publike që njëkohësisht përbëjnë shqetësimet kryesore të këtij komuniteti, rruga Kardhiq-Delvinë dhe ujësjellësi i qytetit.

“Kjo rrugë për dy-tre muaj do të fillojë punimet konkrete dhe për dy vjet Delvina e Saranda do të lidhen me Kardhiqin. Do të dalin shumë më shkurt në rrugën kryesore që të çon drejt Levanit e Tiranës. Pra, Kardhiq-Delvinë një investim i qeverisë shqiptare më i madhi që ka parë ndonjëherë kjo zonë, janë 90 milion euro dhe patjetër kjo rrugë do të sjellë një zhvillim të madh ekonomik për Delvinën. Problemi i dytë shumë i rëndësishëm është ai i ujit. Brenda këtij viti do të fillojë investimi për ujësjellësin e Delvinës. Janë mbi 2 milion euro investim, projekti është përfunduar, po bëhen procedurat dhe brenda këtij viti fillon investimi”, premtoi Gjiknuri.