Në prag të festave të fundvitit, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash shtesë për të siguruar mbarëvajtjen e Festës së Krishtlindjes, të natës së ndërrimit të viteve dhe gjatë ditëve të para të Vitit të Ri 2020. Masat i beri me dije kreu i Drejtorisë së Rendit Publik Drejtues Albert Dervishaj ne nje deklaratë për mediat, i cili tha se nisur edhe nga përvoja e viteve të kaluara apo e ngjarjeve të ndodhura, Policia e Shtetit ka vlerësuar si të domosdoshme marrjen e disa masave shtesë, si dhe kalimin e të gjithë strukturave të Policisë në gatishmëri “Shërbim të përforcuar”.
Masat tha ai do të synojnë shtimin e kontrollit të automjeteve në bazë të analizave të riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kryesisht të lëndëve narkotike, në shtimin e patrullave në kufirin e gjelbër, si dhe në bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve me homologët kufitarë në interes të lëvizjes së lirë dhe në kohë, si dhe të parandalimit e goditjes së paligjshmërisë.
Në këtë drejtim, strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me institucionet e tjera të Task Forcës së krijuar me Urdhër të Përbashkët Nr. 661 të vitit 2018, të Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Financave dhe Ekonomisë “Për parandalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimin civil, që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, në zbatim të detyrimeve që përcaktohen, po intensifikojnë kontrollet për verifikimin e kushteve të prodhimit, magazinimit, tregtimit dhe përdorimit nga subjektet e licencuara të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrët.
Policia e Shtetit e vlerëson si mjaft të çmuar bashkëpunimin me komunitetin dhe në këtë kontekst do të analizojë dhe rivlerësojë informacionet për identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale kundër jetës dhe pronës, konfliktet për motive të ndryshme, për personat në kërkim, si dhe do të organizojnë operacione për kapjen e tyre, duke angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Repartin Special “RENEA” dhe Njësinë Speciale “FAST”.
Policia e Shtetit ka planifikuar masa për mbajtjen në kontroll të situatës së sigurisë, në veçanti në sheshe publike, qendra tregtare që frekuentohen nga numër i madh qytetarësh, lokale dhe restorante apo sheshe ku do të organizohen aktivitete festive etj., duke bashkëpunuar me bashkitë respektive, me qëllim bashkërendimin dhe koordinimin e masave për këtë qëllim.
Janë evidentuar dhe organizuar shërbime, në vende e objekte private, banka, zyra të këmbimit valutor, tregje, lokale dhe objekte ku administrohen vlera monetare e materiale, për të parandaluar ngjarje kriminale. Gjithashtu, strukturat e Policisë do të organizojnë takime me subjektet e shërbimit privat të sigurisë fizike (SHPSF), për përforcimin e shërbimeve të sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare.
Drejtoria e Vendore e Policisë Durrës, Tiranë e Lezhë kanë marrë masa ekstra në drejtim të ruajtjes së pronës, sidomos në ato zona që u goditën nga tërmeti me qëllim parandalimin e vjedhjes së pronës.
Policia e Shtetit, nëpërmjet këtyre masave synon që Festa e Krishtlindjes dhe e Vitit të Ri të kalojnë në mënyrë sa më festive dhe të mos veniten nga episode të mundshme paligjshmërie.
Në këtë kuadër ajo kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunim e qytetarëve që të ndihmojnë Policinë, duke denoncuar çdo paligjshmëri në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurt dhe uron të gjithë qytetarët: Gëzuar festat, shëndet, mbarësi dhe sa më shumë besim e bashkëpunim të ndërsjellët për të mirën e përbashkët gjatë vitit 2020.