Europiani i Peshëngritjes, Veli nuk arrin podiumin

Në Split të Kroacisë ka nisur kampionati Europian i Peshëngritjes dhe Shqipëria merr pjesë me 10 sportistë, 8 meshkuj e 2 femra dhe pretendentët për medalje nuk mungojnë.

Evangjeli Veli ishte ndër të parët sportistë që nisën aventurën e tyre në këtë eveniment të rëndësishëm. Peshëngritësja jonë mori pjesë në kategorinë deri në 53 kg, por pa mundur dot të ngjitet në podium. Veli e mbylli garën e saj në vendin e katërt në dygarësh me 182 kg.

Në stilin e shkëputjes, Evangjeli Veli e mbylli garimin me 82 kg të ngritur në provën e tretë të saj duke u pozicionuar e pesta, ndërsa në shtytje ajo ngriti 100 kg, rezultat të cilin e arriti në tentativën e parë. Ajo provoi të ngrejë 104 kg në 2 provat e tjera, por dështoi duke u detyruar të kënaqet me vendin e pestë edhe në këtë stil.

Sot në mbrëmje do t’i takojë Briken Çaljes që të bëjë garimin e tij në finalen për kategorinë deri në 69 kg për meshkuj, ndërkohë që e gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar tek dita e mërkurë kur do të garojnë Romela Begaj në peshën deri në 69 kg, Erkand Qerimaj e Daniel Godelli të dy në peshën deri në 77 kg.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published.