Shërbimi Zjarrfikës në Gjirokastër zhvilloi sot një stërvitje të emërtuar ‘Derviciani 2019’ në kuadër të masave të përgatitjes për sezonin veror, ku natyrshëm ka më shumë zjarre se pjesa tjetër e vitit. Normal që këtu s’ka ndonjë lajm pasi stërvitje të tilla janë pjesë integrale e punës së shërbimit zjarfikës, njësoj siç bën stërvitje ushtria apo policia. Por nëse shikon fotot në rrjetet sociale dhe kronikat në mediat lokale, zbulon në fakt anën tjetër komike të kësaj ngjarje.
Majë kodrës pranë fshatit Dervician kishin çuar enkas karrige dhe tavolina në mënyrë që prefekti Astrit Aliaj, kreu i Këshillit të Qarkut, Armand Hilaj, kryebashkiakja Zamira Rami dhe një përfaqësues i Policisë së Shtetit, të rehatoheshin për të parë stërvitjen dhe demonstrimin e gatishmërisë së shërbimit tonë zjarrfikës, shërbim që për fat të keq lëngon nga mungesa e pajisjeve dhe investimeve ndër vite.
Pyetja më normale në këtë rast është kjo: Ç’të keqe do të kishte sikur Astrit Aliaj, Armand Hilaj dhe Zamira Rami të mos ishin fare për të parë këtë stërvitje, e cila thjesht është pjesë rutinë e punës së shërbimit zjarrfikës ose së paku të qëndronin në këmbë si ata që kanë rrotull? Dy janë mundësitë. E para, ata që organizuan eventin i servilosen kaq shumë prefektit, kryetarit të Këshillit të Qarkut dhe kryebashkiakes sa kanë menduar që t’i rehatojnë me karrige e tavolina edhe sipër kodrës.
E dyta, Astrit Aliaj, Armand Hilaj dhe Zamira Rami, janë kaq delirantë sa mund ta kenë kërkuar edhe vetë diçka të tillë nga organizatorët. Pamje si këto të kujtojnë skenat e komedisë ‘Gjuetia e Fundit’, ku udhëheqësit Enver Hoxha, që e interpretonte aktori i ndjerë Vasillaq Vangjeli, i kishin çuar edhe oturakun në mal teksa dilte për gjueti derrash. Kjo nuk është hera e parë në fakt që prefekti, kryebashkiakja edhe kryetari i Këshillit të Qarkut bëhen protagonistë të situatave të tilla groteske.
Kujtoni rreth një vit më parë. Të tre bashkë, përfshi edhe kryebashkiaken e Libohovës, ishin rreshtuar për të pritur 80 dyshekë që i dhuronte një nëpunëse e ambasadës kanadeze në Romë. Dakord me dëshirën tuaj për t’u shfaqur në media, për të marrë vizibilitet dhe për t’u dukur vazhdimisht si njerëz të punës, por mos u bëni qesharakë në sytë e njerëzve. Nëse ju personalisht s’e keni problem këtë pjesë, së paku respektoni funksionin që mbani.
©argjiroja.net