Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg” për Mihal Kokëdhimën, pronarin e restorantit në Porto Palermo, që u përfshi në konfliktin me turistët spanjollë pak ditë më parë. Seanca gjyqësore u drejtua nga gjyqtarja Esmerilda Habilaj, ndërsa prokuror i çështjes ishte Saimir Smaka. I arrestuari u përfaqësua nga avokatët Erion Besimaj dhe Kujtim Cakrani.
AVOKATËT
Pas daljes nga salla, avokatët e Mihal Kokëdhimës e kanë quajtur të paligjshëm vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe gjyqtarja Esmerilda Habilaj, për 51- vjeçarin.
Në një deklaratë të bërë për mediat, avokati Erion Besimaj ka rikonfirmuar faktin se do ta apelojnë çështjen, duke pasur besim te Gjykata e Apelit.
“Ky dukej se ishte një gjyq popullor dhe në këto kushte, Gjykata e ka lënë arrest në burg, pa asnjë bazë ligjore. Ajo çfarë kërkuam në sallën e gjyqit, ishte një masë sigurie më e lehtë, duke vendosur një garanci pasurore, dhjetëfish më të lartë, apo edhe duke e lënë në dorë të Gjykatës për ta përcaktuar garancinë pasurore.
Natyrisht kur është vepër penale ‘shkatërrim prone’, në historinë 10-vjeçare, nuk është dhënë asnjëherë masë sigurie ‘arrest në burg’. Prokurori, që kur erdhi në sallë, erdhi me akuzën për ‘shkatërrim prone’ dhe natyrisht që do të jepej arrest në burg dhe kjo për faktin se erdhën disa spanjollë dhe ne përpara të huajve mund të japim gjithçka, vetëm ata të jenë më të mirë dhe të tregojmë se i respektojmë dhe i duam.
Për masën e sigurisë ‘arrest në burg’ nuk plotësohet asnjë nga kriteret e përcaktuara, rrezikshmëria shoqërore, rrezikshmëria e veprës, rrezikshmëria e personit, apo rreziku për t’u larguar nga vendi dhe prishja e provave”, u shpreh njëri nga avokatët.