Për situatën emergjente të krijuar në Gjirokastër nga reshjet e dëborës, ka reaguar sot edhe deputeti i PS-së, Flamur Golemi. Ai ishte në terren bashkë me prefektin Astrit Aliaj dhe drejtorin e ARRSH-së, Andi Shkurta.
Përmes një deklarate në Facebook, ndonëse nuk i përmend me emër, Golemi ‘thumbon’ kolegun e PD-së, Tritan Shehu dhe Dasho Alikon, të cilët një ditë më parë kanë thënë se shteti është inekzistent në Gjirokastër për t’i bërë ballë emergjencës.
“Në këto momente më shumë ka rëndësi të koordinojmë mjetet dhe njerëzit që kemi sesa të japim leksione në rrjetet sociale nga poltronat e zyrave të ngrohta apo të orvatemi të gjejmë fajtorët. Vlerësoj angazhimin e të gjithë strukturave që po punojnë për përballimin e kësaj gjendje të pazakontë”, shprehet Golemi
Në reagim ai s’la pa përmendur edhe punën e Bashkisë Gjirokastër, që sipas tij nuk është në nivelin e duhur.
“Nëse edhe pushteti lokal do të ishte në gatishmërinë që kërkon kjo situatë, besoj se Gjirokastra s’do të qëndronte kaq gjatë e bllokuar”, thotë Golemi.
©Argjirolajm.net