Nëse para tre ditësh e tha nën zë se pushteti lokal duhet të ketë më shumë angazhim, sot deputeti i PS-së Flamur Golemi ka folur dhe ka drejtuar gishtin e përgjegjësisë te Bashkia Gjirokastër lidhur me menaxhimin e emergjencës së shkaktuar nga reshjet e dëborës. Teksa publikon disa foto nga puna për zhbllokimin e rrugës së fshatit Zhulat, Golemi ka një thirrje për Bashkinë Gjirokastër.
“Nëse tashmë rrugët pothuajse janë pastruar të gjitha nga dëbora, është domosdoshmëri hedhja e kripës. I bëj thirrje publike Bashkisë Gjirokastër të ndërhyjë në këtë drejtim. Nëse është e nevojshme të rishikohet buxheti për emergjencat, grupi i këshilltarëve të PS-së ka vullnetin në Këshillin Bashkiak të miratojë ndryshimet që duhen. Është e papranueshme të lejojmë që qytetarëve t’u rrezikohet jeta në rrugët e ngrira. Kjo situatë nuk është për të bërë politikë, por Bashkia Gjirokastër ka detyrimin të përmbushë përgjegjësitë e saj karshi qytetarëve”, shkruan deputeti i PS-së.
Aktualisht situata në disa rrugë të brendshme të qytetit është e rrezikshe, për shkak të ngricave. Ndonëse dëbora është pastruar, nuk është hedhur kripë që te pengojë ngrirjen. Vetë kryebashkiakja Zamira Rami nuk ka bërë asnjë dalje publike në terren apo reagim në rrjetet sociale lidhur me situatën emergjente të shkaktuar nga reshjet e dëborës.
©argjiroja.net