Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha në një intervistë në emisionin “360 gradë” në Ora News se kryeministri Edi Rama është kërcënuar me një video nga një person, pjesë e krimit të organizuar. Sipas tij bëhet fjalë për një çështje të blerjes së votave dhe sipas Bashës me këtë video, Rama mbahet peng.
“Në secilin prej vendeve të BE-së, nëse do të kishte ndodhur një nga këto qindra skandale që kanë dalë dhe dalin ditë për ditë, për secilin prej tyre do të kishte rënë qeveria. Kjo qeveri ka vetëm frikën e kriminelëve.
Janë arrestuar disa kriminelë dhe janë liruar përsëri dhe shumë shpejt besoj do të keni prova për këtë gjë. Janë liruar sepse kanë treguar filmimet që kanë bërë zgjedhjeve të 2017-ës duke mbushur fletët e votimit dhe me këtë video kanë kërcënuar drejtpërdrejt qeverinë, kanë kërcënuar Edi Ramën dhe vartësit e tij. Dhe unë besoj se shumë shpejt këto të dhëna do të publikohen nga media e lirë dhe e pa kapur” – tha Basha.