Edi Rama, kryeministri që fiton sepse guxon


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Nga Altin Ketro

Ndryshimet radikale që kryeministri Rama i bëri kabinetit të vet qeveritar, sollën çoroditje tek të gjithë faktorët politikë e jo vetëm. Jo vetëm se ai luajti me befasinë; nuk i shpalli kur të tjerët e presin dhe i shpalli kur askush s’e priste, por edhe për vetë emrat e atyre që ikën e atyre që erdhën.

Nuk është e thjeshtë që të largosh në bllok pjesën më të rëndësishme të kabinetit, ata me të cilët ke ndarë së paku 5 vite qeverisje dhe që kanë krijuar, sekush në sektorin e vet, gjurmën e tyre.

Kryeministri Rama, përpos largimeve, nuk mendoi gjatë se cilët do ishin zëvendësuesit dhe aty për aty shpalli emrat që do përbëjnë edhe kabinetin e tij të ri. Me këtë ai nuk krijoi vakuum dhe nuk u la shteg thashethemeve.

Shihet se për një pjesë prej këtyre burimeve të reja në ekzekutiv ka një mosbesimin lidhur me një lloj mos përvoje të tyre në protagonizmin politik të ditës. Është e vërtetë se shumë prej atyre emrave nuk i thonë asgjë publikut të gjerë e sidomos atij që s’e ka politikën në plan të parë. Por kjo s’do të thotë që ky “handikap” i tyre të jetë shkaku që atë të mos e meritojnë përgjegjësinë e re që i është dhënë. Askush prej tyre nuk vjen nga rruga dhe secili mban mbi shpatulla edhe një përvojë administrative atje ku ka shërbyer apo shërben deri më sot.

Duke qenë se kemi qenë një shoqëri kryesisht e mbyllur, nuk jemi mësuar të guxojmë drejt të panjohurave. Kjo teoria “pa vënë gishtin në plagë nuk të besoj”, mund të jetë proverbiale për ata dashnorë që duan të ta heqin njollën në biografi pasi të të kenë zhvirgjëruar ata të parët. Vetëm se në politikë, heqja e mundësisë kujtdo të shpalosë aftësinë e tij, duke e paragjykuar nga mos qenia dikush në jetë, nuk e çon shoqërinë përpara.

Gjatë protestës së studentëve, më rastisi shpesh të dëgjoja nga këta të pakënaqurit me qeverinë, dhe këtu fus edhe një sërë analistësh me përvojë të përnatshme, se ja, pikërisht, këta studentë, duhet ta marrin stafetën e të qeverisin vendin. Kishte një entuziazëm karshi tyre, ndërkohë që edhe ata ishin askushi, bile nuk dinin as të artikuloheshin me edukatë nisur nga statusi i tyre, kishte prej tyre që ende s’u kish dirsur mjekra e shumë syresh nuk i kishin thënë ende punës mirëmëngjesi.

Po përse vallë, për këta studentë të papërvojë u krijua një dalldi e madhe se ishin këta të zotët ta nxirrnin këtë vend nga qerthulli ku e paskësh futur kjo klasë e “vjetër” politike?!

Natyrisht, nuk e përjashtoj mosbesimin që mund të ketë secili prej nesh ndaj çdo emri ministri. Vetëm se “papërvoja” e tyre ka një garanci shumë të madhe që i ndjek nga pas dhe kjo garanci e ka emrin Partia Socialiste. Janë gati 30 vjet përvojë politike e maturie e kësaj force politike që është garanci për mundësinë që i jep çdo të riu të tregojë veten (e ka bërë edhe me Ilir Metën e Pandeli Majkon), ashtu sikurse është garanci edhe për vijueshmërinë e një politike shtet formuese e prosperiteti për vendin, që janë në themel të programit të saj.

Kryeministri Rama është politikan që guxon dhe me guximin e tij tregon se askush nuk e ka vendin të sigurt, sado peshë e rëndë politike që të jetë. Ai tregon se nuk është i kapur nga asgjë, edhe kur kundërshtarët e tij e akuzojnë rëndom se filan ministër nuk e heq dot se i lidh me të aferat e pista korruptive.

Shumë prej akuzuesve të kryeministrit e ngatërrojnë rëndom Edi Ramën me paraardhësin e vet, i cili për të shpëtuar të birin nga ndjekja ligjore çfarë nuk bëri për t’u gjetur punë si ministra të gjithë atyre që ishin në dijeni të lidhjeve të të birit me ngjarjen e Gërdecit. E sërish vijon ngatërresa e tyre me Ramën duke e njehsuar me paraardhësin, i cili, ministrin e tij të Brendshëm e katapultoi nëpërmjet një procesi manipulativ drejt e në bashki të Tiranës, si për t’i bërë karshillëk shqiptarëve se bashkëfajtori i tij u rehabilitua me votë nga populli.

Edi Rama fiton sepse guxon duke hequr dorë nga kryetarllëku i bashkisë edhe kur ia grabisin atë, duke mos e ngritur këtë interes personal në çështje kombëtare. Ai fiton sepse guxon që t’u lërë kundërshtarëve të vet, PD+LSI, shumicën e kabinetit qeveritar e vetë të dalë në pakicë për afro 6 muaj. Ai guxon e fiton sepse po për kaq muaj nuk shkon në zyrë duke ia besuar drejtimin e qeverisë zëvendëses së tij nga radhët e opozitës. Ai guxon e fiton sepse futet në zgjedhje pa asnjë përfaqësues të vetin në KQZ. Ai guxon e fiton sepse nuk merret kurrë me cicmic-e babalesh ashtu sikurse me to ka rënë në dashuri gjithë opozita. Ai guxon e fiton sepse i futet detit me këmbë kur u thotë partnerëve tanë të paçmuar, SHBA+BE, më sillni reformën në drejtësi në fletë të bardhë ta firmos e mbi firmën time ju plotësoni çfarë të doni. Ai guxon dhe fiton sepse shikon përtej të sotmes dhe i duhet të shembë një mentalitet që e kemi trashëgim sa nga koha e Baba Dovletit, ashtu edhe nga komunizmi e që më shumë se çdokush ai regjim na e ka përjetësuar shkëlqyeshëm në kinematografi me filmin kuptimplotë “Rrethimi i vogël”.

Dhe së fundmi, për të gjithë ju që as gjumi i natës nuk jua çliron nga truri toksinat e ditës, bëhuni paksa qytetarë e përpara se t’u thoni plaç ministrave të rinj, së paku u thoni puna e mbarë. E, në mos qofshi të frustruar nga ideja se kështu po i bëni fresk qeverisë, heshtni e prisni në atë padurimin tuaj të shtirur “dështimin” e tyre të parë që të keni me se të merreni deri në zgjedhjet e afërta vendore.