Një belg arriti të bashkohej me biçikletën e tij, të cilën ia kishin vjedhur në Bruksel. Historia është më e komplikuar dhe ia ka dalë të pushtojë faqet e gazetave dhe medias sociale.
Gjithçka nis kur një personi i vjedhin biçikletën e tipit Cowboy, me një vlerë prej rreth 2 mijë euro. Me ndihmën e aplikacionit ‘Find My Bike’, ai arriti të lokalizojë dyrrotakun në një fshat të Fierit.
Belgu u fut në rrjetin social Reddit dhe kërkoi ndihmën e shqiptarëve për të rimarrë biçikletën. Nuk ishin të paktë ata që u solidarizuan, por zgjidhjen më brilante ia dha njëri.
“Rruga më e shpejtë është që të telefonosh në numrin … e kryeministrit shqiptar Edi Rama. E kam seriozisht. Së fundmi ai ose stafi i tij po bëjnë këtë fushatën që ndihmojnë njerëzit me sende të vogla dhe të shpejta (mikromenaxhimi e ndihmon atë që të ndjehet i rëndësishëm),” i shkroi një shqiptar nga Fieri.
Gjërat nisën të lëvizin shumë shpejt pas kësaj. Sipas gazetës belge DH, Rama u apeloi autoriteteve lokale që të interceptojnë biçikletën e vjedhur. Kompania Cowboy e mori në dorëzim biçikletën dhe të martën ia dorëzoi pronarit.