Në një intervistë për Zërin e Amerikës, deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, tha se do të vazhdojë të marrë pjesë në punimet e parlamentit, duke kundërshtuar vendimin e partisë së saj për të djegur mandatet parlamentare.
“Parlamenti i jep oksigjen demokracisë në vend, i jep oksigjen partive politike. Është vendi ku ne përfaqësojmë sovranin, prandaj duke marrë parasysh që kjo është një përgjegjshmëri e lartë që ndiej mbi shpatulla, mendoj se qëndrimi në parlament është vendimi i duhur që i shërben të ardhmes së Shqipërisë”- tha Hajdari.
Në rast të një përjashtimi, Rudina Hajdari i kujton PD-së se edhe babai i saj, Azem Hajdari, është përjashtuar dy herë nga kjo parti, ndaj kërkon një vendim të matur prej saj.
“Kjo nuk është hera e parë që PD përjashton anëtarë apo deputetë të saj, ka ndodhur dhe në familjen tim, ka ndodhur me tim atë dy herë. Në ato raste janë penduar për këtë lloj vendimi.Duhet të jemi shumë të matur para se të marrim këto lloj vendimesh dhe të jemi të kujdesshëm se çfarë mesazhesh ne japim me këto vendime. Nuk mund të ndjek dot një vendim kolegjal që shkon kundër frymës së Kushtetutës së Shqipërisë, kundër interesave të Shqipërisë. Më vjen keq nëse zhgënjej partinë time por unë do të zgjedh interesin e Shqipërisë. Gjërat janë në ajër dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhë. Do kem një marrëdhënie normale me kolegët”, tha Hajdari.