Maldin Ymer kthehet përsëri në futbollin grek, duke i dhënë lamtumirën Shqipërisë ku kishte luajtur në dy sezonet e fundit. Ish-futbollisti i përfaqësueseve të moshave të Shqipërisë, kishte ardhur nga Greqia në Superiore pas eksperiencave në kategoritë e ulëta atje, duke firmosur me Kukësin fillimisht e më pas me Luftëtarin.
Me këtë të fundit ai u kthye në një titullar të padiskutueshëm në sezonin e kaluar duke luajtur me rregullsi, por duke vendosur që të largohet në mbyllje të edicionit për shkak të krizës financiare te gjirokastritët. Sot, lojtari është prezantuar te skuadra e tij e re, Pançaiki në kategorinë e dytë greke. Zyrtarizimi është bërë edhe nga klubi i cili i ka dhënë rëndësi më shumë faktit se ai ka dalë nga akademia e Panathinaikos duke luajtur atje për shumë vite.
“Jam i lumtur që jam përsëri në Greqi, me skuadrën e Pançaiki. Jam i ndërgjegjshëm për kërkesat e kësaj skuadre dhe premtoj se do të bëj më të mirën për të arritur objektivat tanë”, deklaroi Ymeraj në prezantimin e tij si futbollisti më i ri i kësaj skuadre.