Dy kushtet e opozitës për Shqipërinë Europiane


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Nga Lulzim Basha

Kolegji Zgjedhor ka marrë sot një vendim krejtësisht të parëndësishëm, por që po përdoret nga Edi Rama si makinacion për të krijuar një ligjshmëri fallco të votimeve farsë të 30 qershorit, të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po i përgatit dhe zbaton në shkelje të Kushtetutës dhe të çdo ligji.

Kolegji Zgjedhor ka kompetencë vetëm shqyrtimin e mosmarrëveshjeve që lidhen me procesin zgjedhor dhe vetëm në bazë të Kodit Zgjedhor.

Asnjë institucion, përveç Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të shprehet për dekretin e Presidentit të Republikës. Vendimi i sotëm kishte disa ditë që dihej si fakt i kryer në rrethet politike dhe mediatike të Tiranës. Është e gjitha një histori makinacioni, e përgatitur në çdo detaj nga Edi Rama.

Me një skenar të trashë, u sajua një kërkesë fallco, nga një parti fallco, në bazë të së cilës, kolegji zgjedhor shpalli një vendim të parapërgatitur nga Edi Rama për ta shitur edhe jashtë vetë objektit të vendimit.

Lehtësia me të cilën ndodhi e gjitha kjo, përpara syve dhe vëmendjes së të gjithë shqiptarëve, tregon jo vetëm kontrollin e plotë që Edi Rama gëzon mbi drejtësinë, dhe mbi çdo institucion të vendit, por edhe shpërfilljen totale që ai ka ndaj ligjit, institucionEve dhe demokracisë. Mbi të gjitha, vendimi i sotëm tregon natyrën fallco dhe fasadë të të gjithë sistemit instituticional shtetëror, i cili ka humbur tashmë çdo funksion kushtetues dhe politik dhe është reduktuar vetëm në funksionin e fasadës për të mbuluar dhunimin e Kushtetutës, të ligjit dhe të çdo norme demokratike nga Edi Rama.

Pas parlamentit fasadë, prokurorisë fasadë, të gjykatave fasadë, të KQZ-së fasadë, sot kemi edhe një Kolegj zgjedhor fasadë, të cilët legjitimojnë në sipërfaqe sundimin autokratik të Edi Ramës.

Me veprimin e tij, Kolegji Zgjedhor sot provoi edhe një herë se vendimi ynë për të mos hyrë në këto zgjedhje farsë ishte vendim i duhur. Sjellja e kolegjit provoi se edhe dorëzimi i mandateve parlamentare, ka qenë gjithashtu një vendim i drejtë i opozitës.

Regjimi autokratiko-kriminal i Edi Ramës ka nevojë për fasadë për të mbuluar thelbin e tij. Me largimin tonë nga institucionet e kapura prej tij, ne ia hoqëm këtë fasadë dhe tani të gjithë po shohim fytyrën e vërtetë të regjimit të Edi Ramës.

Të dashur qytetarë!

I paaftë për të respektuar shtetin ligjor, demokracinë dhe proceset normale politike, përfshirë zgjedhjet, Edi Rama po shkon drejt votimeve njëpartiake për të instaluar në krye të bashkive njerezit e kapur nga krimi njerëz të korruptuar dhe vegla të verbra të tij. Në këtë turravrap të tij autokratik dhe kriminal, ai po rreket që të krijojë fasadën e zgjedhjeve legjitime. Po përpiqet ta paraqesë çdo gjë normale.

Asgjë nuk është normale.

Kjo duket nga pamja e Edi Ramës duke bërë fushatë nëpër Shqipëri, sikur të jetë duke vizituar një territori armik, i mbrojtur nga mijëra forca policore.

Asgjë nuk është normale.

Kjo duket nga retorika vulgare dhe përpjekjet e sforcuara, që kanë për qëllim t’i bëjnë njerëzit të ndihen budallenj, të ndihen të mpirë, të shpërqendruar për të kuptuar të vërtetën.

Asgjë nuk është normale, sepse e gjitha infrastruktura kriminale e vjedhjes së zgjedhjeve është e paprekur.

Gjiknurët, Dakot, Manjat dhe drejtuesit e lartë të PS, së bashku me bandat e krimit të organizuar, vazhdojnë të jenë të paprekur dhe të lirë për të kërcënuar qytetarët të dalin në zgjedhjet farsë. Si gjithmonë, Edi Rama po garanton mbrojtjen e tyre, përmes prokurorisë dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, që kontrollohen prej tij.

Qeverisja, si shprehje e vullnetit të njerëzve si mekanizëm i zgjidhjes së problemeve të shoqërisë, ka mbaruar.

Sot qeverisja ka vetëm dy detyra:

Plaçkitjen e pasurive dhe parave të shqiptarëve në favor të Edi Ramës dhe klientëve

Mobilizimin e burimeve kriminale dhe të korruptura për të ruajtur pushtetin dhe paratë e Edi Ramës.

Ky është i vetmi qëllim, i vetmi motiv i shtetit të Edi Ramës. Sot ka vetëm sundim personal të një njeriu të kriminalizuar. Makutëria e ka bërë atë dhe ata që i shërbejnë të besojnë se gjërat do të kalojnë, se ata do t’ia hedhin pavarësisht kirmeve që kanë kryer.

Gjërat nuk do të kalojnë. Ata nuk do t’ia hedhin. Madje koha do t’i përkeqësojë gjërat dhe fatet e tyre. Sa më shumë kohë kalon dhe Rama qëndron në pushtet me anë të një shteti policor dhe një rrjet kriminal, aq më i keq do të jetë fati i tij.

Edi Rama dhe ata që e mbështesin, po injorojnë mësimet e historisë, po shpërfillin zemërimin popullor, po nënvleftësojnë kurajon e shqiptarëve. Mendjelehtësia po i bën të mendojnë se krimet që kanë bërë, plaçkitjet që kanë bërë, shkatërrimi i Shqipërisë, do të falen dhe ata do të gëzojnë ato që kanë vjedhur dhe përfituar padrejtësisht.

Të dashur bashkëqytetarë!

Në gjendjen ku kemi përfunduar, Shqipëria rrezikon gjithçka.

Shqipëria ka nevojë për siguri, për shtet ligjor dhe për mirëqeverisje.

Shqipëria ka nevojë të bëhet pjesë e Europës sa më parë.

Nuk ka asnjë pikë dyshimi se një qeveri e re, një qeveri e ndershme do të jetë në gjendje të hapë menjëherë negociatat me BE-në. Do të jetë në gjendje të tërheqë investime të huaja. Do të jetë në gjendje të krijojë mundësi, punë dhe sipërmarrje.

Një qeveri e re do të jetë në gjendje të luftojë krimin e organzuar dhe të çlirojë ekonominë dhe politikën nga krimi. Por që Shqipëria të ketë një qeveri të tillë, duhet që të ketë zgjedhje të lira.

Zgjedhjet e manipuluara, zgjedhjet e fituara me kriminelë sjellin qeveri kriminale si kjo e Edi Ramës. Ka vetëm një mënyrë se si Shqipëria mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme:

Daljen para drejtësisë të atyre që kanë vjedhur zgjedhjet politikanë, zyrtarë, dhe kriminelë. Që të ndodhë kjo, duhet që Edi Rama të largohet nga kryeministër.

Këto dy kushte janë të panegociueshme për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje.

Pa u plotësuar ato, ne nuk do t’i rikthehemi asnjë procesi politik.

Pa ndëshkueshmërinë e së keqes, e keqja vetëm do të përsëritet.

Edi Rama do të përpiqet me çdo kusht t’i shmangë këto dy zhvillime, por nuk ka për t’ia dalë.

Ne do t’i arrijmë këto dy objektiva të rëndësishme pa asnjë kompromis.

Ne shpresojmë që ato do të arrihen pa kosto shoqërore.

Kriminelët duhet të jenë në burg dhe jo në parlament.

Kriminelët duhet të jenë në burg dhe jo të menaxhojnë fushata elektorale.

Ka ardhur koha që pas 21 vjetësh vjedhjesh, krimesh dhe shkatërrimesh, njeru që futi krimin në politikë, të dalë para drejtësisë. Së bashku me largimin e tij, do të mbyllet kapitulli i kapjes së shtetit nga krimi i organizuar dhe Shqipëria do t’u rikthehet vlerave europiane.

Këtë jua premtoj të gjithë shqiptarëve në emër të së ardhmes së fëmijëve tanë!

Sa i përket 30 qershorit, plani i Edi Ramës për destabilizm dhe luftë mes shqiptarëve, do të dështojë. Shqiptarët janë bërë bashkë si kurrë më parë në mbrojtje të demokracisë për të mos lejuar farsën elektorale dhe krimin kushtetues të regjimit autokratiko-kriminal.

30 qershori është dita kur nis fundi i regjimit të Edi Ramës.

Ju ftoj të jemi të vendosur dhe të bashkuar në këtë betejë për të ardhmen e fëmijëve tanë, për Shqipërinë si gjithë Europa, për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve.