Largimi i Fatmir Xhafës nga Ministria e Brendshme është vetëm çështje orësh. Pas publikimit të përgjimit nga opozita, ku pretendohet se vëllai i tij bën pazare për trafik dorge, Ministri i Brendshëm ndodhet nën një presion të jashtëzakonshëm. Por kush do të jetë pasuesi i tij në krye të Ministrisë së Brendshme? Aktualisht ka një betejë të brendshme në PS, midis atyre që tashmë e konsiderojnë të prerë kokën e Fatmir Xhafës. Nga njëra anë po lobohet tek Rama për të ngritur në këtë detyrë shefin e grupit parlamentar, Taulant Balla, që edhe sot e la të hapur “përgjegjësinë morale” të ministrit të Brendshëm. Por të tjerë pretendojnë se Rama nuk e ka më luksin të emërojnë për herë të tretë një njeri qoftë edhe me hijen më të vogël të dyshimit. Prandaj, këmbëngulin ata, ai është i dënuar të bëjë një zgjedhje me zero risk, që do të qetësojë sa opinionin vendas po aq edhe ndërkombëtarët. E në këtë kuadër ka filluar të përflitet emri i ministres aktuale të Drejtësisë, Etilda Gjoni. Gjithsesi çdo gjë do të merret vesh në ditët e ardhshme.