Lëvizja Socialiste për Integrim ka filluar të rrudhet. Që pas largimit të Ilir Metës dhe humbjes së zgjedhjeve, kjo parti po zhytet në krizë të thellë, pasi largimi nga pushteti ka bërë që shumë militantë të hedhin sytë nga parti të tjera. Dje LSI u braktis nga dy anëtarë të këshillit bashkiak në Gjirokastër, por gazeta mëson se shumë shpejt LSI do të rrudhet dhe në Parlament. Një burim i tha gazetës ‘SOT’ se brenda partisë kanë nisur përplasjet mes Kryemadhit dhe disa deputetëve, të cilët nuk janë të kënaqur me partinë.
Kjo është vënë re dhe te numrat e LSI në Parlament, pasi janë disa emra që nuk marrin pjesë në pjesën më të madhe të seancave. Megjithatë gazeta ka mësuar se janë dy deputetë të LSI që shumë shpejt do i bashkohen Partisë Socialiste. Marrëdhëniet e tyre me përfaqësues të tjerë të LSI, por dhe me vetë Ilir Metën, janë tensionuar dhe për këtë arsye po bëjnë tentativat e fundit për t’u bashkuar me kampin socialist. Nëse ndodh kjo, atëherë PS forcon pozitat e saj në Parlament. Momentalisht PS ka 74 deputetë dhe bashkë me dy nga LSI do të shkojë në 76. Ndërkohë dhe 3 deputetët e PDIU janë rreshtuar krah PS, që do të thotë se numri i votave në Parlament shkon në 79. Por përveç kësaj, duket qartë se LSI ka filluar të lëkundet. Sa ishte në pushtet ish-partia e Ilir Metës ishte e fuqishme për shkak se shumë persona e shihnin atë si mundësi punësimi.
Nga 4 deputetë që pati fillimisht si parti, një vit më parë ajo mori 19 dhe kjo u arrit për shkak të punësimit të militantëve në administratën shtetërore. Por në fushatën e zgjedhjeve të 25 qershorit, kjo ishte ajo që rrëzoi LSI, pasi kryeministri Rama përdori si kalë beteje spastrimin e administratës nga militantët e LSI. Aty u tregua që pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk e donin këtë parti dhe i dhanë votën PS vetëm që njerëzit e saj të largoheshin nga puna. Pas kësaj, kanë ndodhur meqindra largime në radhët e LSI, teksa tani duket se kanë arritur deri në nivel deputetësh./Sot