Drejtori i ri i ALUIZNI-t në Gjirokastër nuk do të jetë më Klodian Micka. Sikundër ArgjiroLajm.net ka raportuar më herët në fillim të këtij muaji, vendin e tij do ta zërë një drejtues tjetër. Ai është Nertil Nebiaj, prezantimi i të cilit do të bëhet mesditën e nesërme. Nebiaj është shpallur fitues në konkursin e zhvilluar për këtë institucion, por ai pritet të jetë drejtor vetëm për 5 muaj, pasi në qershor ALUIZNI do të shkrihet bashkë me Hipotekat. Të paktën kështu paralajmëroi kryeministri Edi Rama javën e kaluar gjatë një takimi me drejtuesit e rinj të Hipotekave në vend.
Rreth një vit më parë, në janar 2017, Nertil Nebiaj është shkarkaur nga Hipoteka e Gjirokastrës ku punonte si jurist. Urdhri i shkarkimit ishte firmosur nga drejtori i përgjithshëm i Hipotekave, Ilirjan Muho. Ndonëse motivacioni ka qenë për ‘shkelje në detyrë’, shkarkimi ishte një lëvizje e Vangjel Tavos, për shkak të pozicionit që Nebiaj ka si kryetar i PS-së në Lunxhëri. Kujtojmë që Ilirjan Muho ishte në krye të Hipotekave si njeriu i LSI-së. Deri më tani nuk ka një reagim nga ish-drejtori Klodian Micka, i cili ka edhe raporte miqësore me Nertil Nebiajn, sikundër duket edhe në fotot që kanë publikuar në rrjetet sociale. Nertil Nebiaj ka përfunduar studimet për Drejtësi në Universitetin ‘Ismail Qemali’ në Vlorë.
©ArgjiroLajm.net