Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili sipas shumë raporteve ndërkombëtare mbron praktikat korruptive të gjyqtarëve dhe bën qoka me anë të vendimeve, ka vlerësuar maksimalisht gjyqtarët e shkarkuar deri më tani nga komisioni i Vetingut, për mosjutifikim të pasurisë, kontakte të papërshtatshme me krimin apo për paaftësi profesione.
Gjyqtarët që sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organit bazë të Vetingut, nuk janë të përshtatshëm për të shërbyer në drejtësisë e re, janë vlerësuar me pikë maksimale nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, si njerëzit më të shkëlqyer të sistemit. Sipas gazetës ‘Shqiptarja.com’ mes gjyqtarëve të shpëtuar nga KLD-ja, është edhe Elidon Papazisi, gjyqtar te Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër. Po kështu është shpëtuar edhe Enkeleda Doda, gjyqtare te Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë. Sidoqoftë ata ende nuk janë përballur me vettingun. Në muajin shtator do të nisin seancat për gjyqtarët e gjykatave në rrethe.