Tashmë që mban postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka dhënë dorëheqjen nga një funksion i rëndësishëm që mbante në Partinë Socialiste.
Ish-kreu i grupit socialist në Kuvend, këtë të shtunë dha dorëheqjen nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Këtë vendim Ruçi e bëri të ditur në nisje të mbledhjes së Asamblesë që mban sot PS-ja.
Detyra që ai mban e kryeparlamentarit është e papajtueshme me çdo funksion tjetër publik.
“Jap dorëheqjen si sekretar i përgjithshëm i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Të gjithë i keni parasysh arsyet, ka të bëjë me detyrën e re që më keni ngarkuar”, tha Ruçi.
Asambleja do të zgjedhë sot sekretarin e ri të përgjithshëm, ndaj Ruci e deklaroi këtë vendim në nisje të mbledhjes, për t’i lënë kohë kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, për të propozuar një emër të ri.
Në këtë asamble pritet veç të tjerash të bëhet edhe prezantimi i zëvendësministrave të rinj të qeverisë “Rama II”.
Në postin e kryeparlamentarit Ruçi është kritikuar vazhdimisht nga opozita shqiptarë dhe përfaqësues të shoqatës së ish-të përndjekurve politikë, për faktin se ka mbajtur post ministror në kohën e regjimit komunist. Partia Demokratike ka kërkuar shkarkimin e tij.