Tritan Shehu s’ka bërë deri më tani asnjë reagim publik për lëvizjen e Fatjona Dhimitrit, e cila pritet të marrë mandatin e tij të deputetit në qarkun Gjirokastër. Por duke folur gjatë një interviste tek News 24, Shehu tha se deputetët e rinj që janë futur në Kuvend janë ‘pupac’ (kukulla). Edhe pse nuk e përmendi me emër nominalisht Fatjona Dhimitrin, kjo etiketë e Shehut shkon edhe për të.
“KQZ ka marrë një vendim të rrezikshëm dhe antikushtues. Se ka një vendim që nuk mund të merren deputetë nga një parti, që nuk janë më në atë parti. KQZ bëri këtë hap, pra realisht mund të thosha që mazhoranca e mbushi me pupac”, tha Shehu. E pyetur nga gazetarja nëse është pupac edhe Rudina Hajdari, Shehu u shpreh kështu.
“Unë nuk flas me emra. Thashë të marrësh deputetë nga lista, do të thotë të krijosh parlament fiktiv. Është antidemokratike kur partia thote nuk e pranoj”.
Fatjona Dhimitri është e shtata në listën e PD Gjirokastër. Ndonëse ishte një prej njerëzve që organizonte shpesh takimet elektorale të Tritan Shehut, ky i fundit e quan sot pupac (kukull) edhe pse ajo thjesht zgjodhi të merrte mandatin që i takon sipas ligjit. Në videon më poshtë ndiqni të plotë intervistën e ish-deputetit të Gjirokastrës.
©argjiroja.net