‘Djathë Gjirokastre’…, nga ta di unë që nuk është një përzierje teknologjike?


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Nga Mentor Kikia

Nga ta di unë që ky është djathë dhe jo një përzjerje teknologjike?

Në shumë dyqane bulmeti, sot shitet djathë pa etiketën e prodhuesit dhe pa deklaruar përbërësit. Shpesh shikon një copë letër mbi një shkop ku shënohet: “Djathë dele Jugu”, “Djathë Gjirokastre”, apo thjeshtë “Djathë lope”, dhe çmimi përkatës.

Po nga ta di unë, që ai është vërtet djathë deleje apo dhie? A kam të drejtë unë të dyshoj se ai është bërë me qumësht pluhur, niseshte, vaj palme dhe disa pika esence(aromë) dhie, qëshitet edhe kjo si parfum. Shitësi të jep sigurinë: E ke pa merak, e marr direkt në baxho, apo direkt në fabrikë. Po atë në baxho dhe fabrikë kush e kontrollon? Si është e mundur që djathi nuk myket, por thjeshtë thahet si të ishte gëlqere. Si është e mundur që kosi nuk thartohet e as myket, edhe sikur ta lësh në diell një javë?

AKU-ja kontrolloi një fabrikë para pak ditësh, “REND&BLEND&CO”, dhe doli që prodhonte qumësht, kos, djathë(dhie, dele, lope), gjizë, salcë etj, me qumësht pluhur dhe vaj palme. E gjobitën për evazion fiskal. Vaji i palmës, padyshim, nuk është helm. Por unë duhet ta di kur blej djathë lope, e kur blej djathë me vaj palme. Unë nuk kam parë deri tani asnjëlloj djathi, qumështi apo kosi me emrin “REND&BLEND&CO”. Po ku i dërgonte tonelatat e “bulmetit” me vaj palme atëherë kjo fabrikë? Padyshim që furnizon këto dyqane që më pas i vënë shkopinjë me letra: “Djathë dele Jugu”, “Djathë Gjirokastre”, “Djathë Dukati”….

Nuk dua të krijoj as panikun më të vogël. Nuk dua të ndëshkojmë në asnjë pikë djerse ata që punojnë me ndershmëri. Por nuk duhet të pranojmë mashtruesit që nga i njëjti kazan me qumësht(në rastin më të mirë), të bëjnë edhe djathin e lopës, edhe të deles, edhe të dhisë.