‘Dezertimi’ i Vjollca Kokos dhe Monda Kllapit, reagon LSI Gjirokastër: Vepruan me kokën e tyre, por prapë mbeten tonat…

Pas zhvillimeve të sotme në Këshillin Bashkiak Gjirokastër, ku dy këshilltare te LSI-së bashkuan votat me PS-në, për të shkarkuar Mimoza Comon dhe zgjedhur në vend të saj Vjollca Kokon, ka reaguar zyrtarish LSI Gjirokastër përmes një deklarate. Nëse lexon mes rreshtash, LSI distancohet nga jo që ndodhi në mbledhje, duke e shitur si shenjë të demokracisë së brendshme në parti. Pra, sipas LSI-së, Vjollca Koko dhe Monda Kllapi bënë një zgjedhje të tyre personale, por kjo s’i përjashton nga LSI. Dukshëm në deklaratë LSI heziton të dalë kundër tyre apo t’i sulmojë, sic ndodhi kohë më parë me Ardian Hyskajn apo Arben Rexhajn. Por nga ana tjetër, mungon dhe një urim për Vjollca Kokon, këshilltaren e LSI-së, që u zgjodh në krye të Këshillit Bashkiak. Madje LSI hedh dyshime se zgjedhja e saj është bërë kundër ligjit. Pjesa tjetër e deklaratës është folklor, aq sa të kujton dhe parrullën e komunizmit:”Në gojë të ujkut hedhim valle…’

Lexoni më poshtë reagimin e plotë të LSI Gjirokastër. 

DEKLARATË
Lsi Gjirokastër, e qartë në misionin dhe vizionin e saj, ka treguar gjatë gjithë kohës maturi dhe qetësi përkundër sulmeve që i janë bërë pa ndërprerje. Kjo parti, pavarsisht shpifjeve që hapen vazhdimisht ndaj saj për shkak të frikës që kanë “të mëdhenjtë”, ka ditur të ruajë orientimin dhe i ka qëndruar besnike qëllimeve të veta. Një nga arsyet se përse qëndron kaq fort përballë partive të tjera që e rivalizojnë është se në ndryshim nga ato, LSI i jep rëndësi të veçantë zhvillimit të demokracisë brenda saj. Tek LSI mendimi ndryshe do të thotë zhvillim. I tillë ishte edhe rasti i ngjarjeve të fundit në Këshillin e Bashkisë Gjirokastër ku dy këshilltare përfaqësuese të LSI kanë marë një venfim personal për të mos mbështetur shumicën e grupit të këshilltarëve të LSI. E kuptojmë perceptimin e komunitetit se shumica e vendimeve që merren në parlamentin e qytetit merren në zyrat e partive por në rastin tonë njerëzit janë të lirë në vendimet e tyre dhe kjo nuk do të thotë aspak se ato janë larguar nga përfaqësimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nuk është aspak serioze që një herë na akuzojnë se ju bëjmë presion këshilltarëve pastaj akuzojnë këshilltarët që veprojnë ndryshe nga ajo që presin si tradhëtarë. Përfundimisht znj. Koko dhe Kllapi kanë vepruar sipas vendimit të tyre personal duke marë pjesë dhe duke votuar në një mbledhje që lë dyshime për legjimitetin e saj, pra nuk kanë vepruar sipas një vendimi politik, por kjo nuk i përjashton aspak nga LSI. Ato janë dhe ngelen përfaqësueset tona. Ka ardhur koha të mësohen të gjithë me demokracinë brenda partise. Urojmë që këtë demokraci të kenë edhe partitë e tjera. Nga LSI kush ishte për tu larguar, u largua, partia u pastrua dhe në vazhdim ne po rritemi sepse rreth nesh po afrohen ata që besojnë në parimet tona.