Trajneri i Kastriotit, Bledar Devolli, mendon se të gjitha këto diskutime rreth ngjarjeve të ndryshme kanë kaluar në plan të dytë faktin se krutanët po marrin rezultatet me lojë bindëse ndeshje pas ndeshje në fushën e blertë. Në “News 24” ai deklaroi se të gjithë po gjenin alibi të ndryshme, por fakti është se Kastrioti është ekipi që ka shënuar 7 gola në dy sfidat e para në kampionat.
“Kemi bërë fitore në Gjirokastër, u tha që na u hap porta nga Luftëtari ndërkohë që sot fiton 0-2 me Laçin. Pastaj vjen ndeshja me Skënderbeun dhe gjejmë prapë alibi duke thënë që u kërcënua, u rrahën. Unë flas vetëm për sport, çfarë ka ndodhur brenda kuadratit ishte fair play, edhe në Gjirokastër, ishte rezultat i drejtë. Edhe pas ndeshjes e kam thënë që në pjesën e kuadratit të blerë është bërë futboll, se çfarë ndodh jashtë nuk e di dhe nuk mund ta gjykoj e nuk më takon mua. Unë di të them që kanë qenë dy fitore, meritë e çunave, djersës që kanë dhënë e asaj që kanë punuar dhe për këtë mund të flasim gjithë ditën e gjithë natën.
Ndeshjet e mira i kam pritur se kemi bërë një minifazë shumë të mirë, drejtuesit më kanë ofruar kushte shumë të mira, grumbullime e stërvitje në kompleks, më kanë ofruar lojtarë të mirë në skuadër. Sinqerisht i falënderoj për këto kushte dhe ja ku janë edhe rezultatet. Kemi punuar mirë, kemi bërë gola në çdo miqësore dhe në këto dy ndeshje kemi shënuar 7 gola. Nuk është rastësi, është vetëm meritë e djemve që punojnë seriozë, kanë talent dhe kur të mbarojë kampionati do të jenë më të kërkuarit në treg. Jam krenar për këtë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu me kokën poshtë dhe rezultatet në çdo ndeshje do na nxjerrin me kokën lart”, deklaroi trajneri i Kastriotit.