Detajet/ Si u grabitën 100 milionë lekë nga shtëpia e biznesmenit në Memaliaj

Na ndiqni në Facebook dhe Instagram:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Një biznesmen nga qyteti i Memaliajit ka rënë pre e një grabitjeje, ku autorët janë larguar me 100 milionë lekë.

Vjedhja e sasisë së madhe të parave ka ndodhur të hënën, edhe pse zyrtarisht është bërë e ditur nga Policia vetëm të mërkurën. Viktimë e grabitjes ka rënë biznesmeni i njohur në Memaliaj, Aleks Kalemi.

Në bazë të dëshmisë së dhënë nga pronari i një supermarketi, grabitësit kanë qenë të mirinformuar për sasinë e parave që ndodheshin në banesën e biznesmenit. 40- vjeçari gjatë dëshmisë së dhënë në polici, ka sqaruar se paratë ishin futur në një kasafortë pa kod në dhomën e gjumit.

Duket se gjithçka ka qenë e mirorganizuar nga autorët e grabitjes spektakolare, pasi ndërhyrja e tyre është kryer në momentin që në shtëpi nuk ndodhej asnjë person. Në momentin kur është kryer grabitja, i zoti i shtëpisë, gruaja, si dhe dy fëmijët, djali dhe vajza, nuk kanë qenë në banesë, pasi ishin në një ngushëllim familjar jashtë qytetit.

Me sa duket, grabitësit kanë survejuar të gjitha lëvizjet e banorëve të shtëpisë dhe kanë pritur rastin që ata të largoheshin. Kështu ka ndodhur, ata kanë hyrë brenda përmes portës kryesore të apartamentit pa thyerje dhe më pas kanë kryer vjedhjen e shumës së konsiderueshme monetare, shkruan “Panorama”.

Rruga ku ndodhet apartamenti dhe supermarketi i Kalemit është shumë e rrahur nga kalimtarët, por edhe nga vetë forcat policore, sepse ndodhen në afërsi të qendrës së qytetit. Kamerat vëzhguese janë vendosur vetëm në hyrje të supermarketit dhe jo në hyrje të banesës, çka do të mundë- sonin edhe identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje.

Grupi hetimor i Policisë së Tepelenës, ndonëse ka hetuar rreth kësaj ngjarjeje, nuk ka arritur ende në gjurmët e grabitësve. Kjo pasi autorët kanë lënë pak ose aspak gjurmë në vendngjarje. Fqinjët, nga ana tjetër, ndonëse kanë dhënë dëshmi në Policinë e Tepelenës, nuk kanë diktuar askënd, por zhurmat i kanë përkthyer si të zakonshme të një familjeje me fëmijë.

Ndërkaq, burime nga Policia lokale bëjnë me dije se akti është kryer në orët e mbrëmjes të së hënës, në një kohë kur në apartament nuk ndodhej asnjë person. Në dëshminë e tij para Policisë, biznesmeni pranon se sasia e vjedhur e parave ka qenë 55 milionë lekë të vjetër, si dhe 35 mijë euro, që në total arrijnë një vlerë prej rreth 100 milionë lekësh të vjetër.

Aktualisht, asnjë person nuk është arrestuar lidhur me rastin, por besohet se kanë qenë tre persona të përfshirë në këtë ngjarje. Kohët e fundit, në Memaliaj dhe Tepelenë janë shtuar mjaft rastet e grabitjeve dhe vjedhjeve, ndërkohë që zbulueshmëria ka qenë e ulët nga ana e Policisë.

Sondazh: Votoni personazhin e vitit 2018 në Gjirokastër (lista me 10 kandidatë)

Leave a Reply

Your email address will not be published.