Të gjithë eshtrat e ish të burgosurve politikë që vdiqën në burgun kala të Gjirokastrës janë zhdukur në periudhën kur u ndërtua lagjja e re e qytetit e quajtur ndryshe “18 shtatori”. E gjithë ajo hapësirë ka qenë e mbushur me varre anonimë të burgosurish, kundërshtarë të regjimit të Enver Hoxhës.
Hasije Izeti, nga Konispoli, sot 84 vjeç dëshmon sonte në emisionin “Dosja K”, në Report Tv, historinë e dhimbshme të zhdukjes së babait të saj, të cilin nuk e panë më kurrë që pas ditës së arrestimit në vitin 1946.
“Vëllai gjeti një nga varrmihësit dhe e pyeti ku mund ti gjenim eshtrat e babait. Ai i tregoi se kur shkonin për të marrë trupat e të burgosurve të vdekur, punonjësit e burgut i nxirrnin trupat nga morgu, i thyenin në mes, në dysh, me lopatë, i fusnin nëpër thasë plastmasi të zinj dhe pastaj ua jepnin punonjësve të varrezave. Urdhri ishte që ku të gjenin një tokë të butë, të hapnin një gropë dhe t’i fusnin”
Në emisionin Dosja K, Hasija sjell edhe dëshmi të tjera të vyera për persekutimin e familjes së saj por edhe atmosferën e rëndë të survejimit gjatë gjithë viteve të diktaturës në Konispol, një prej pikave më të nxehta kufitare, ku Sigurimi i shtetit vigjëlonte natë e ditë.
“Do të vinte një komision anglez nga Greqia në Shqipëri. Në fakt erdhi. Nënën time e mori Gjolek Alia që ta internonte para 2-3 ditëve të ardhjes së komisionit. Kishin frikë se nëna mund tu jepte atyre ndonjë letër apo informacion. E mori në mes të natës nënën dhe e çoi në Delvinë. Ne ulëritëm aq shumë sa u ngrit e gjithë lagjja në këmbë. Mbetëm vetëm, pa nënën e pa babanë. Pastaj erdhi tezja ime, për të qëndruar me ne.
Sot Hasije Izeti, jeton me pengun që nuk mundi kurrë të gjente eshtrat e babait të saj Mehmet Izeti, por edhe për faktin se nuk gjeti asnjë mbështetje që ti bënte të paktën një varr simbolik ku të mund ta qante atin e saj të pafat. Mehmet Izeti vdiq në burgun e Gjirokastrës i uritur, i sëmurë dhe i torturuar me 30 gusht 1952. Dëshmia e plotë e Hasije Izetit zbulohet sonte në emisionin “Dosja K” të gazetares Admirina Peçi, në Report tv, në ora 20:55.