Deputetja më e re e Gjirokastrës, pse hesht Ediola Braha?


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Ediola Braha është deputetja më e re e qarkut Gjirokastër. Ajo bëri betimin të mërkurën në Kuvend pasi mori mandatin e lënë nga Vangjel Tavo. Por që prej të mërkurës e deri më tani, ka një gjë që të bën përshtypje. Ediola Braha s’ka bërë ende asnjë deklaratë për të shpjeguar vendimin e saj.

Ajo thjesht ka zënë vend në Kuvend si pjesë e ‘opozitës së re’, por ka ‘kyçur’ gojën për opionin publik duke përforcuar në këtë mënyrë atë që thonë kundërshtarët e saj në radhët e LSI-së dhe PD-së, se Ediola Braha u ble nga pushteti i Edi Ramës. Deputetja e LSI-së ka detyrimin karshi zgjedhësve të saj dhe opinionit publik të reagojë se përse theu vendimin e partisë dhe çfarë ajo do të bëjë në Kuvend këtej e tutje. Ediola Braha nuk mund të sillet sikur s’ka ndodhur asgjë.

Ajo duhet të japë një shpjegim për zgjedhjen që bëri sikundër ka folur edhe Vangjel Tavo për vendimin e tij. Hyrja ‘kaçakshe’ në Kuvend pa thënë asnjë fjalë për vendimin që mori dhe çfarë do të bëjë këtej e tutje është një sjellje që s’i vlen as vetë Brahës.

Së paku ajo duhet të bëjë një reagim. Nuk po i kërkojmë të tregojë për takimin që pati me Vangjel Tavon në Tiranë përpara se të betohej në Kuvend, por së paku një reagim ndaj atyre që e kanë votuar në zgjedhjet e vitit 2017. 

©argjirolajm.net