Lefter Maliqi është një ndër personazhet e momentit pasi ka marrë shumë vëmendje pas vendimit për të pranuar mandatin e deputetit. Ai do të hyjë në Kuvend si “tradhtar” i PD-së dhe eksponent i “opozitës së re” për PS, por këto interpretime duket se nuk e shqetësojnë Maliqin. Ai ka folur në “Ora News” për prapaskenat që shoqëruan vendimin e tij, duke thënë se ka pasur ndërhyrje për të mos pranuar mandatin e deputetit.
“Ndërhyrje po. E kam marrë vesh që ditën e protestës që do të dorëzonin mandatet. Të nesërmen kur u dha reagimi janë thirrur kandidatët në telefon. Edhe unë jam telefonuar nga eksponentë të PD, miqtë e mi, të cilët po mashtrohen aktualisht. E kalova në heshtje pas anjë përgjigje. Kishte mbi 4 ditë ftesa e KQZ dhe unë vendosa ditën e 6”, tha Maliqi.
Ai gjithashtu deklaroi se në Parlament do të përfaqësojë demokratët, por ka shpërthyer në kritika të ashpra ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha. Sipas Maliqit, kryeopozitari është një mashtrues që nuk e mban fjalën dhe u bë miliarder sepse e ndihmoi në politikë Sali Berisha.
“Unë tani përfaqësoj PD. Unë jam me të gjithë demokratët që rrinë protestojnë dhe gënjehen nga Luli, me tik taket e Lulit, me shumëzimet e Lulit. Pse them unë jam mirënjohës me Sali Berishën ose për Ilir Metën. Këta thonë po ose jo. Ky nuk mban fjalë. Ky na mbajti 3 muaj në çadër dhe na tregonte parime demokratike. Vuri në listë kandidatët që ishte turpi i PD. Unë kam dalë kundër Lulit. Ku ka lidhje Luli, nga kamarier u bë miliarder nga Sali Berisha. Del ky kundër Jozefina Topallit, ku di ky çfarë është PD. Del kundër Ridvan Bodes, Bregut, Patozit etj. Kush është ky?! Fryma e përjashtimit nuk të sjellë fitore”, tha Maliqi.