E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Europian, ndaj sipas ish-ministrit të Jashtëm, Tritan Shehu, tezat për korrigjim apo ndryshim kufijsh nuk flasin për të ardhmen, por për të shkuarën.
“Ne jemi për t’i zhvleftësuar kufijtë në rajon në këto momente, duke implementuar ligjet e rregullat e BE-së. Nesër do t’i zhdukim kufijtë duke qenë të gjithë në BE”, tha Shehu per Top Channel.
Teza e Thaçit, e cila gjithsesi nënkupton ndryshimin e hartës së shtetit të Pavarur të Kosovës, do të ishte kundërvënie ndaj partnerëve europianë e amerikanë, që u investuan për këtë shtet.
“Kjo do të thotë që të transmetosh mesazhin që ‘Ju e keni bërë gabim’, e tani duhet hapur sërish kutia. Hapja e kutisë është shumë e gjerë, asnjë nuk e di sesi do të shkojë dhe ku do të çojë. Në qoftë se dikush mendon që Serbia është bërë një ‘qingj i butë’, që mund të japë çdo gjë, gabon rëndë. Pas Serbisë fshihen të tjera fuqi të interesuara të vonojnë procesin e integrimit të Ballkanit në BE, apo të rikrijojnë reminishencat e tyre të vjetra”, tha më tej Shehu.