Bledi Çuçi ka marrë sot drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Pas betimit te presidenti Ilir Meta, ai është pritur në zyrë nga ministri në ikje, Niko Peleshi. Gjatë fjalës së tij në prezantimin me stafin e ngushtë të ministrisë, Çuçi tha se për të nis sot një sfidë e bukur dhe domethënëse në krye të një sektori të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Ai ka falenderuar paraardhësin e tij Niko Peleshi për të gjithë angazhimin dhe punën që ka bërë në krye të kësaj ministrie.
“Do të vijoj të çoj përpara investimet, projektet dhe nismat e tjera që lehtësojnë punën e fermerëve, blegtorëve dhe gjithë industrisë agropërpunuese të vendit. Bujqësia dhe zhvillimi rural ka qenë dhe mbetet prioritet i skuadrës sonë qeverisëse. Unë do të bëj çdo përpjekje që njerëzit të cilët kanë lidhur jetën me fshatin apo duan të investojnë në zonat rurale, t’i kenë të gjitha kushtet dhe mundësitë. Inkurajoj fort gjithë ekipin e kësaj ministrie dhe institucioneve të varësisë të vazhdojnë t’i përkushtohen detyrave të tyre funksionale. Ky është një rrugëtim i përbashkët. Ne i kemi të gjitha mundësitë të shkruajmë një histori suksesi”, shkruan Çuçi në faqen e tij në Facebook.