Detajet/ Si u kapën dy Arbenat, ish-deputetët e PS-së

Disa anëtarë të grupit kriminal Avdyli janë arrestuar dje nga Policia e Shtetit gjatë një operacioni të madh kundër grupeve të rrezikshme të skeduara nga Task Forca Speciale me aktivitet sidomos në trafikun ndërkombëtar të drogës. Grupi kriminal Avdyli ishte një prej tyre, nën përgjim prej dy vjetësh nga Prokuroria dhe sipas burimeve, pikërisht gjatë këtyre përgjimeve kanë dalë në pah emrat e dy ish-deputetëve të PS, Arben Çukos dhe Arben Ndokës. Ky i fundit, Ndoka, kishte mik njerin prej anëtarëve të grupit kriminal. Në prangat e Policisë ranë Shkëlqim Avdyli, Flamur Avdyli, Astrit Avdyli, Jasin Avdyli, Shaqir Gjepali, Fatos Llaftiu, pas një hetimi që kishte nisur që në dhjetor 2016 dhe që “mori me vete” edhe dy ish-deputetët.

Njoftimi i Policisë për arrestimin e Arben Çukos:

Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhër arrestin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve A. Ç. A. Ç. dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Burgjeve. Urdhër arresti u ekzekutua të dielën pasdite dhe aktualisht A. Ç, është i ndaluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Njoftimi i Policisë për arrestimin e Arben Ndokës:

Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhrin e arrestit për shtetasin A. N., 46 vjeç, nga Lezha, për të cilin Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën “Arrest në burg”. Ai dyshohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash. Hetimi disa mujor ka mbledhur prova dhe se ky grup kriminal dyshohet si i implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave etj.

Në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 u shpallën në kërkim. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë. Megjithë provat e forta të paraqitura nga Policia dhe Prokuroria, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Apelit Shkodër, ndryshuan masat për një numër të konsiderueshëm shtetasish, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, si dhe 2 shtetas të ri-shpallur në kërkim. Gjithashtu disa ditë më parë, Policia e Lezhës goditi një tjetër grup prej 11 ish-zyrtarësh të Hipotekës, aktiviteti i të cilit dyshohet se lidhet me tjetërsimin e tokave në këtë qark.