Bojkoti parlamentar i opozitës përgjatë muajit të shkuar ka sjellë edhe reduktimin e të ardhurave të deputetëve, që nuk kanë marrë pjesë në punimet e Kuvendit. Sipas të dhënave të Kuvendit të Shqipërisë, atyre u janë mbajtur të ardhurat nga paga mujore për shkak të mosfrekuentimit të punimeve të seancave plenare. E ndërsa nga njëri krah u reduktua rroga, nuk mund të thuhet e njëjta gjë përsa u përket shpërblimeve dhe dietave.
Gazeta “Panorama” sjell listën e plotë të 140 deputetëve të Kuvendit dhe shpërblimet e marra nga ata përgjatë periudhës nëntordhjetor të vitit 2018. Konkretisht, që të gjithë deputetët e Kuvendit kanë përfituar shuma të majme për karburant. Kjo, pasi sipas ligjit për statusin e deputetit, ata përftojnë një kuotacion mujor për karburant, i cili u shërben atyre për të lëvizur në zonat ku janë zgjedhur.
Deputetë të qarqeve si Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë kanë marrë pjesën më të madhe, e cila shkon deri në 80 mijë lekë vetëm për karburant. E njëjta gjë ndodh edhe me telefonin. Statusi i deputetit u jep atyre atributin e pagesës së telefonit dhe në total, për deputetët e Kuvendit janë paguar 4.312.600 lekë. Përfitimet e 5 deputetëve të qarkut Gjirokastër dhe gjithë deputetëve të tjerë janë si më poshtë. Në listë nuk bën pjesë Mirela Kumbaro, pasi ajo deri në mes të muajit janar ishte ministre e Kulturës dhe rrjedhimisht trajtimin financiar ligjor nuk e përfitonte si deputete.