Dejvi Bregu ka vendosur të respektojë kontratën që ka me Luftëtarin dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e gjirokastritëve deri në fund të këtij sezoni. Futbollisti ka treguar për “TVSH” se të ardhmen e tij do ta tregojë vetëm pasi t’i përfundojë akordi me gjirokastritët, në fund të këtij sezoni, duke përjashtuar mundësinë që të largohet drejt ndonjë skuadre tjetër që tani në janar.
“Shumë lajme si për Skënderbeun, si për kampionatin austriak, mbase mund të dalin, por siç e thashë, unë do të respektoj kontratën time që e kam deri në maj të vitit 2018. E kam theksuar dhe vazhdoj ta theksoj. E kam vendosur që do të respektoj kontratën time dhe vetëm atëherë do të shikoj për të ardhmen”, shpjegoi Bregu. Ndërkaq, futbollisti i gëzohet faktit që Luftëtari në këtë pjesë të dytë të sezonit do të jetë një nga ekipet që duhet ndjekur, pasi ka formuar një repart të frikshëm sulmi.
“Shkurtaj është një lojtar shumë cilësor, me të mendoj se është kompletuar reparti i sulmit pasi me Abazaj, Rrocën, Lamçen e Shkurtajn mendoj se kemi një nga sulmet më të mira të kampionatit shqiptar”, tha talenti 22-vjeçar.