Tritan Shehu, deputeti i ‘djegur’ i PD-së në Gjirokastër ka reaguar ndaj kolegut të tij Bledi Çuçi pas intervistës që ky i fundit dha tek News 24 lidhur me djegien e mandateve nga opozita. Shehu është i indinjuar përse Çuçi ka thënë në emision se edhe vetë votuesit e PD-së janë kundër vendimit për djegien e mandateve. Sipas tij, Bledi Çuçi nuk mund të flasë në emër të elektoratit të PD-së në Gjirokastër
“Deputeti e ministri i Rilindjes Blendi Çuci sot ”entusiazmohet” kaq shume, sa flet edhe ne emer te elektoratit te PD te Qarkut te Gjirokastres. Cuditerisht i jep te drejten vehtes te “publikoje” edhe opinionet e mendimet e atyre, qe kane votuar PD, qe kane qene ne shumice ne protestat kunder partise se tij, jo vetem per zhvillimet e fundit, por nder vite diskrimini, harrese, varferi, arrogance mbi qytetaret shume te nderuar te ketij Qarku, te realizuar nga Rilindja”, shkruan Shehu.
Ironia qëndron në faktin se vetë Tritan Shehu që i hakërrehet Bledi Çuçit të mos flasë edhe në emër të demokratëve, kur vjen puna tek protestat i quan ato protesta mbarëpopullore dhe flet në emër të popullit, në një kohë kur deri më tani ato kanë qenë thjesht protesta të militantëve dhe simpatizantëve të PD-së. Shembull tipik ishte në Gjirokastër. Në protestë nuk kishin dalë qytetarë të zakonshëm, por militantë dhe përkrahës të PD-së.
Edhe në Virua për t’i zënë rrugën Ramës ishin po militantë të PD-së, ndërkohë Tritan Shehu publikisht këto i prezanton si protesta popullore. Natyrisht që as Bledi Çuçi s’mund të flasë në emër të elektoratit të PD-së pa patur një referim të saktë, një sondazh apo të dhënë konkrete, sikundër as Tritan Shehu s’mund të thotë që protestat e militantëve të PD-së janë protesta mbarëpopullore.
©argjiroja.net