Dalipi nxjerr ‘të palarat’ tek Luftëtari: Ika nga Gjirokastra për faj të Duros. I papranueshëm komunikimi i Presidentit me mua


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Klevis Dalipi i kundërpërgjigjet Duros, pasi ky i fundit e quajti joprofesionist. “Një nga arsyet më të forta të largimit tim ishte ky (Duro). Gjatë periudhës që isha në Gjirokastër, kam kryer 28 seanca stërvitore dhe zoti Duro, apo zoti drejtor ka ardhur tri herë në qytet. Herën e parë erdhi kur luajtëm me Apoloninë për të parë ndeshjen”, thotë fillimisht Dalipi për “Panorama Sport”.

HERA E DYTË

Më tej, ish-trajneri i Luftëtarit tregon se si Duro kërkonte t’i bënte listat e lojtarëve. “Herën e dytë që erdhi në Gjirokastër, kishte mision për të bërë fjalë apo për të ndryshuar listën e lojtarëve, edhe pse unë kisha ndërtuar një listë dhe punë të madhe, pas seleksionimeve të atyre ditëve. Isha kundër prurjeve të shumta, ndryshe nga ç’mendonin zoti Halilaj dhe Duro.

Doja disa lojtarë të Superiores që ishin të afirmuar. Nuk po i zë në gojë emrat e tyre, sepse janë diku tjetër. Pafuqia e drejtuesve për të sjellë këta lojtarë, bënë që të mos formoja boshtin e ekipit dhe një skuadër dinjitoze. Dhe në këtë herë të dytë zoti Duro, pasi atij i pëlqen të punojë nga Tirana me telefon, erdhi për të më ndryshuar dhe larguar lojtarët që unë mezi i kisha gjetur. Ai donte emra të tjerë që i sugjeronte me telefon ose nga të tjerët. Që këtu ai është gabim dhe del blof që nuk është profesionist. Unë shoh lojtarët, bëj përzgjedhjen si trajner i Luftëtarit.

Në këtë herë të dytë patëm një përplasje të fortë. Trajneri dhe drejtori punojnë bashkë. Drejtori nuk mund të ndryshojë listën e lojtarëve duke thënë se ai nuk është i mirë ose nuk më pëlqen pa i parë farë në fushën e lojës. Ia bëra të qartë Duros. Nëse punon kështu, do të largohem. Presidenti e largoi, por vendimi nuk u bë mediatik dhe mua m’u la dora e lirë. M’u premtua që do të vinin lojtarë nga Superliga greke. Nuk erdhi asnjë lojtar”, rrëfen Dalipi.

ÇËSHTJA E KONTRATËS

“Herën e tretë që Duro erdhi në Gjirokastër, pesë ditë nga debati ynë, u kthye sikur nuk kishe ndodhur gjë”, tregon Dalipi. “Në këtë moment së bashku me stafin e pashë me pesimizëm punën time në të ardhmen. Kishim një pakt me presidentin që Duro nuk do të ndërhynte më, por do të ishte këshilltar i presidentit. Erdhi dhe vazhdoi njësoj. Sa për kontratën, isha gati për të firmosur, por një natë para firmës më erdhi një telefonatë nga presidenti me tone të larta. Nuk mund ta pranoja këtë gjë.

Punova gati pesë javë pa kontratë dhe dy ditë përpara kërkova siguri për sigurimet. Ishte diçka normale të kërkoja që sigurimet t’i paguante gjysmat klubi dhe gjysmat trajneri. Në 9.30 të ditës së nesërme kisha planifikuar stërvitjen, ndërsa në 12:30 kisha konferencë për shtyp. Nuk kisha planifikuar asgjë për të bërë keq. Për më tepër që jam familjar dhe nuk mund të sillem kështu. Askush nuk mund të më akuzojë se jam i parregullt, siç ka thënë zoti Laze. Këtë do t’ia lëmë kohës dhe të gjykojnë se cilët janë të tjerët. Gjithsesi, prita deri në 6 të mëngjesit.

Ia bëra të ditur edhe drejtorit Dade që pres një mesazh nga presidenti që të më konfirmojë. Prita gjithë natën vendimin e presidentit, sepse mendova se ishte një moment dhe gjërat do të shuheshin. Presidenti nuk më kontaktoi dhe unë u largova. E siguroj zotin Duro që po të kishte qenë më afër me trajnerin ato 25 ditë, apo gjysmën dhe të kishte parë përgatitjet për ndeshjen me Tiranën (që mund ta humbisja edhe unë) do të kishte një ide të punës që kisha bërë. Skuadra që luajti dje me Tiranën nuk do të ishte ajo, por më e mirë, sepse në fushë luajti me modul të ndryshëm. Do të kishte ide më të qarta”, shpjegon Dalipi./ PanoramaSport