Sistemi i ujërave të zeza në Gjirokastër vazhdon të mbetet një problem shqetësues në shumë lagje, sidomos në lagjet ku pas viteve ’90 është bërë masakër urbane me ndërtime vend e pavend. ArgjiroLajm.net denoncon sot një tjetër rast në lagjen ‘Kodra e Shtufit’. Pamjet faktikisht s’kanë nevojë për shumë koment sepse flasin më shumë se çdo fjalë tjetër. Është një pallat shumë katësh që ‘noton’ në ujërat e zeza, të cilat dergjen poshtë tij. Rreziku për infeksione apo epidemi është evident. Banorët janë ankuar te Drejtoria e Shëndetit Publik dhe Bashkia Gjirokastër, por kanë marrë veç premtime e përcjellje se problemi do të zgjidhet.
Nuk është ende e qartë nëse kjo situatë është krijuar nga papërgjegjshmëria e ndërtuesit të objektit, apo kemi të bëjmë me një bllokim të zakonshëm, por që nuk po ndërhyhet për zgjidhjen e tij. Fundja nuk ka më shumë rëndësi se kush është fajtori, por që ky problem zgjidhet në mënyrë të menjëhershme sepse po rrezikohet jeta e banorëve. Në plot raste të tjera, sikundër ArgjiroLajm.net ka raportuar, ka patur pallate që edhe pse nuk janë përfunduar në të gjithë aspektet inxhinierike sipas projektit fillestar, janë pajisur me leje shfrytëzimi. Natyrisht kjo është bërë përmes korrupsionit dhe klientelizmit të ndërtuesve me pushtetin, në nivel vendor dhe qëndror. Shihni videon më poshtë.
© ArgjiroLajm.net