Cristiano Ronaldo është ngjitur në krye të SportMoney Index të revistës Forbes, si sportisti më i paguar në botë.
Instrumenti i ri i Forbes kombinon burime të ndryshme të ardhurash dhe informacione të tilla si incluenca e lojtarit në pjesë të ndryshme të tregut.
Ronaldo, i cili më 2016 fitoi Champions League me klubin dhe Euro 2016 me kombëtaren, fitoi 88 milionë dollarë, duke lënë pas LeBron James, Lionel Messi e Neymar.
Sulmuesi, i cili mbush 32 vjeç nesër, ka arsye të dyfishtë për të festuar, pasi bëhet futbollisti i parë që kryeson listën e sportistëve më të paguar.
Megjithatë, Forbes vë në dukje se ai ka përfituar edhe nga fakti i tërheqjes së boksierit Floyd Mayweather dhe dëmtimet e pësuara nga Tiger Woods.
“Këtë viti, ikona e futbollit Cristiano Ronaldo është sportisti më i paguar në botë, me 88 milionë dollarë gjatë 12 mujave të fundit, përfshirë pagën, shpërblimet dhe marketingun. Ronaldo është i dyti sportist skuadre, pas Michael Jordan, që del në krye të kësaj liste, që kur Forbes nisi të llogariste fitimet e sportistëve më 1990”, shkruan Forbes.
“Kontrata e Ronaldos me Real Madrid vlen mbi 50 milionë dollarë në vit, paga e bonuse, dhe skadon më 2018. Ai është një makineri marketingu dhe sipas llogarive tona ka fituar 32 milionë dollarë jashtë fushe. Vitin e kaluar rinovoi kontratën me Nike, me vlerë 13 milionë dollarë në vit. Partnerë të tjerë marketingu të Ronaldos janë Tag Heuer, Herbalife, Pokerstars, Clear Shampoo e të tjerë. Ai ka edhe linjën e vet të veshjeve, parfumeve, këpucëve dhe të hoteleve në ndërtim”.
“Prania e madhe në median sociale e bën Ronaldon tërheqës për marketingun, me 215 milionë ndjekës në Facebook, Instagram e Twitter. Ai ka postuar 255 herë në median sociale vitin e kaluar, për të reklamuar marka të ndryshme. Këto postime kanë gjeneruar 176 milionë dollarë në vlerë mediatike, sipas Hookit, i cili llogarit vlerat e sponsorizimit në median sociale e dixhitale”.
Ronaldo, i cili i rriti fitimet nga 80 milionë dollarë më 2015, fiton 7 milionë më tepër në vit se Leo Messi, i cili zë vendin e dytë. Ndër futbollistët e tjerë, Neymar është i 21-ti (37.4 milionë), Ibrahimovic i 23-ti (37.4 milionë) dhe Bale i 25-ti (35.9 milionë).