Arben Hysenaj, ish-drejtor i Policisë së Gjirokastrës në vitin 2008-2009 ka dhënë një intervistë për Shijak Tv, ku flet për kriminalitetin në vend, trafikun e drogës dhe ndërhyrjet e politikës tek Policia e Shtetit. Ndër të tjera ai rrëfen për gazetarin Basir Çollaku edhe situatën në Lazarat gjatë kohës kur ai drejtonte Policinë e Gjirokastrës. Hysenaj tregon gjithashtu edhe ndërhyrjen e kryetarit të PD-së asokohe në Gjirokastër tek kryeministri Sali Berisha, për ta larguar nga drejtimi Policisë. Më poshtë pjesa e intervistës ku ish-drejtori tregon përvojën në Gjirokastër.
Keni qenë drejtor policie dhe në Gjirokastër, ku kemi “Lazaratin” legjendën e hashashit?
Po kam vajtur në fundin e muajt gusht të vitin 2008. Atëherë Drejtori i përgjithshëm Ahmet Prençi, ka shkarkuar të gjithë drejtuesit, për problemet e krijuara nga trafiku i drogës.
Lazarati si e gjetët gjendjen dhe veprimet që ndërmorët?
Kur unë kam shkuar Drejtor në këtë qark, situata ishte shumë problematike. Zona e kultivuar në fshat me hashash, furnizohej me ujë nga fshati dhe policia ishte pothuajse inekzistente.
Sa kultivohej atëherë?
Në bazë të informacioneve të policisë flitej për rreth 500 mijë rrënjë të kultivuara. Nëse bllokohej uji, plehu, lëndët që shërbenin për kultivimin, atëherë ashtu sicc ndodhi sasia reduktohej dhe ajo ra deri në 100-150 mijë rrënjë, jo më tepër.
Tjetër çfarë bëtë?
Puna e parë që bëra, përveç këtij lloj izolimi, ishte motivimi i punonjësve të policisë, sepse drejtuesit e mëparshëm flirtonin me kultivuesit dhe drejtuesit e pushtetit të zonës.
Ishin pjesë e një skeme korruptimi?
Në një rast që unë e kam bërë pjesë të diskutimit me policinë në një takim pune kishte ndodhur që eksponentë të krimit të Lazaratit, grupit të gatshëm të komisariatit i merrnin çelësat e makinave dhe policët rrinin në lokal.
A kishin lidhje me pushtetin dhe politikën?
Po. Sigurisht po. Kishin lidhje me pushtetarë dhe politikanë të të gjitha partive, deri edhe në deputetë të cilët i shfrytëzonin këto lidhje në fushata zgjedhore. Kishte eksponentë të trafikut të cilët ndërronin parti, sipas rezultatit të zgjedhjeve. Kishte deputetë të cilët më telefononin të toleroja trafikantë droge që ndërronin parti dhe pronarë.
Kishte ndikim te ju politika?
Në atë periudhë që kam qëndruar unë në Gjirokastër, nuk ka pasur asnjë ndikim në polici nga politika, me gjithë përpjekjet e tyre deri në lobimin për të më larguar nga puna
Si lobim?
Ka letër që Kryetari i Partisë Demokratike në Qarkun Gjirokastër i ka dërguar Kryeministrit Sali Berisha, ku i kërkonte largimin tim nga Drejtues Policie në Gjirokastër, sepse po godet njerëzit tanë, ka futur në burg kreun e PD në Lazarat, gjobiten drejtorët e njerëzit tonë në qytet etj.
Cili ishte reagimi?
Kur kam vajtur në Gjirokastër me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm Ahmet Prençi kam shkuar për të luftuar krimin me ka thirrur ish-ministri i brendshëm në atë kohë z Bujar Nishani, pas tre ditëve punë dhe i kam shpjeguar situatën e rëndë. Me ka kërkuar të bëjë maksimumin për luftën kundër trafikut të drogës sidomos për Lazaratin. Më ka theksuar se nuk do të kesh asnjë ndërhyrje nga politika por vetëm mbështetje.
Reagimi i KM Berisha?
Kryeministri kërkoi informacion për letrën nëpërmjet drejtorit të përgjithshëm Ahmet Prençi dhe pas kësaj më është ofruar vetëm mbështetje në punën time në këtë qark. Kemi pasur përgëzime dhe nga OSCE, zyra e saj në këtë qark si askund tjetër, vlerësonte maksimalisht punën e policisë, duke e reflektuar këtë në raportet ndërkombëtare.
Si e pakësuat kultivimin?
Kishim numër të pakët forcash polici
Po si vepruat?
Bllokimi i ujit ishte mënyra që ndikonte ndjeshëm, se ishte vetëm një mundësi furnizimi dhe kjo e pakësonte kultivimin në masën 80 përqind më pak. Erdhën dhe forcat speciale RENEA se në atë kohë ishte vetëm një rrugë si mundësi për të lëvizur brenda fshtatit nga ku do bëhej furnizimi me ujë, ishte vetëm një mundësi. Ne bashkë me RENEA –ne e bllokuam ujin. Patëm dhe përplasje me trafikantët, janë arrestuar mbi 10 persona të cilët kundërshtonin policinë dhe janë dënuar me burg.
Reaguan trafikantët?
Fillimisht ishte një reagim i ashpër duke qëlluar me armë në ajër dhe kjo krijonte probleme për komunitetin, për fshatin Dervican dhe Lagjen Zinxhiras në qytet e zona të tjera. Pastaj duke marrë informacionet se kush qëllonte me armë në Lazarat, këto persona kur dilnin nga fshati ne i arrestonim kjo uli intensitetin e të qëlluarit me armë dhe pas disa muajsh nuk kishte më asnjë të shtënë arme, janë konfiskua në atë periudhë mbi 200 mjete që ishin pa dokumenta, me targa false që përdornin trafikantët për transport dhe shkëmbime të tjera. E vetmja mundësi vaditja u bllokua. Dhe i thonin njëri tjetrit se na morën në qafë falimentuam
Po viti tjetër?
Viti tjetër duhet të kemi parasysh se ishte dhe vit zgjedhor, 2009, ndaj bëhej dhe presioni që ata shkruanin letra, se vazhdoja ti mbaja të bllokuara. Kishte një rast që një mjet ngarkuar me pleh e ruanin forcat e policisë prej dy javësh derisa e ndaluam dhe e sekuestruam. Kjo solli minimizim në shifra më pak se 150 mijë rrënjë të kultivuara, nga 500 dhe 600 mijë që ishin më parë. Me duhet te them se në një vit nga shatori i vitit 2008 në shtatorin e vitit 2009 patëm rezultate të shkëlqyera edhe në goditjen e trafikut të hashashit, heroinës po dhe kokainës në këtë periudhë janë kapur e sekuestruar mbi 4 ton hashash, 50 kg heroine dhe rreth 2 kg kokainë për këto sasi të kapura janë arrestuar e ndaluar mbi 50 autorë që vepronin në disa grupe kriminale.
Patët dhe bashkëpunim me forcat speciale?
Po sigurisht, por më tepër me forcat e drejtorisë së qarkut, djem të shkëlqyer trima e kurajoz, në atë periudhë për ata nuk kishte të paprekshëm.
Por prapë ju larguan?
Po më larguan ndonëse largimi ishte krejt i pamotivuar dhe unë kisha rezultate shumë te mira, konkrete.