“Stolitë Tona”, kështu ishte emërtuar aktiviteti për celjen e sezonit turistik në qytetin antik të Antigonesë. Të pranishëm ishin ish-ministrja e Kulturës dhe deputetja e qarkut, Mirela Kumbaro, kandidati i PS-së, Flamur Golemi, prefekti Astrit Aliaj dhe të tjerë përfaqësues institucionesh.
Vec panairit me produkte të zonës dhe punime artizanale nuk munguan as këngët polifonike nga Grupi i Lunxhërisë. Merrte pjesë gjithashtu edhe Golik Jaupaj nga Grupi i Bëncës, i cili përvecse mjeshtër i madh në të gjitha kohërat njihet edhe për këngët që i ka kënduar diktatorit Enver Hoxha.
“Sfida jonë e përbashkët është ta shtrijmë sezonin turistik përgjatë gjithë vitit. Gjirokastra i ka potencialet për ta arritur këtë objektiv. Me pak më tepër punë dhe dëshirë, ajo që tani mund të duket e pamundur në fakt mund të bëhet realitet. Pas 30 qershorit turizmi si sektor prioritar do të marrë më tepër vëmendje nga Bashkia”, tha Golemi gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet.
Ra në sy mungesa e përfaqësuesve nga Bashkia Gjirokastër.
©argjiroja.net