Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, duke folur në Kongresin e PS-së për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, tha se Shqipëria s’ka kohë për të humbur me opozitën e larguar në drejtim të paditur. Sipas tij, PS mbetet sot e vetmja alternativë për të çuar përpara punët që kanë nisur.
“Përpara kemi një rrugëtim të ri që duhet ta bëjmë së bashku, qytet më qytet e fshat më fshat. Ju nuk duhet të na leni vetëm sepse askush tjetër nuk mund të çojë përpara punët që kemi nisur. Në zgjedhjet lokale ju nuk duhet ta shpërdoroni votën tuaj për asnjë alternativë tjetër veç Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ditë pas dite ne do të nënshkruajmë një kontratë të re besimi me ju, për t’i dhënë qeverisjes vendore njerëzit më të mirë. Shqipëria s’ka kohë për të humbur duke rendur pas një pakice, e cila nga dëshpërimi se nuk bëhet dot shumicë, ka ikur në drejtim të paditur. Bashkitë që duam bëhen realitet vetëm nëse ne bashkojmë mendjet, zemrat dhe votat në 30 qershor për Partinë Socialiste të Shqipërisë”, tha ministri Çuçi.