Prej disa ditësh ka një përplasje mes kryeministrit Edi Rama dhe rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Sipas kryeministrit, rektori nuk po bën asnjë përpjekje për të realizuar verifikimin e titujve akademikë, pra të bëjë një lloj vettingu, kërkesë e cila u artikulua edhe gjatë protestave studentore. Por sa i përket vettingut akademik, situata nuk është pezull vetëm në Tiranë. Edhe në universitetet e rretheve vijon deri më tani të mos ketë asnjë përpjekje në këtë drejtim.
Përjashtim këtu nuk bën as Universiteti ‘Eqrem Çabej’ në Gjirokastër. Verifikimi i titujve të stafit akademik duket si një temë tabu në Universitetin e Gjirokastrës. Të mos harrojmë se jemi në kushtet kur drejtuesit e tij duan thjesht të ruajnë status quonë. Nuk ka dyshim se mes stafit ka plot të pakualifikuar, ka pedagogë që janë aty pa asnjë meritë profesionale apo arritje shkencore si studiues, por thjesht sepse kanë shfrytëzuar konjukturat dhe lidhjet okulte.
Gjasat janë që të mos ketë vetting akademik në Universitetin e Gjirokastrës. Rektori Bektash Mema njësoj si kolegu i tij Mynyr Koni në Tiranë, nuk ka guxim t’i futet këtij problemi. Të humburit në cdo rast janë studentët që do duhet të bëjnë mësim me pedagogë që kanë marrë tituj e grada përmes punimeve plagjaturë. Të humbur jemi edhe ne si taksapagues që do të vijojmë t’u japim rroga këtyre mender shkencëtarëve.
©argjiroja.net